Ndryshim i madh në Premierligë, pasi Puma është shpallur si furnizuesi i ri zyrtar me topa që nga fillimi i sezonit 2025-2026, duke i “vjedhur” kontratën Nike, e cila kishte monopolin që nga sezoni 2000-2001.
Njoftimi u bë me gjithë solemnitetin e duhur nga Premier League, me shefin ekzekutiv, Richard Masters, i cili shprehu emocione për partneritetin e ri.
“Ne jemi të emocionuar të mirëpresim Puma-n si Furnizues Zyrtar i Topave të Premier League. Puma ka një histori krenare në futboll për shumë vite dhe ne mezi presim të shohim topin e ri të përdorur në të gjitha ndeshjet tona nga vera e ardhshme e tutje. Arritja e tyre globale dhe përkushtimi për përsosmëri përputhet me vlerat tona dhe ne jemi të ngazëllyer që bashkëpunojmë në një sërë projektesh për të promovuar punën e shkëlqyer që po bëhet në komunitete dhe për të frymëzuar fansat në mbarë botën”, tha Masters në një deklaratë zyrtare.
Nga ana e saj, CEO i Puma-s, Arne Freud nuk e fshehu gëzimin e tij për marrëveshjen, duke theksuar rëndësinë strategjike të bashkëpunimit.
“Marrëveshja me Premier League, liga më e njohur e futbollit në botë, është një hap i rëndësishëm në strategjinë tonë për të forcuar markën tonë”, tha Freud.
Puma nuk është “e huaj” për Premier League, pasi tashmë ruan një prezencë të fortë në kampionat, duke sponsorizuar Manchester City-n, një nga skuadrat kryesore të ligës.
Në të njëjtën kohë, kompania gjermane e pajisjeve bashkëpunon me lojtarët më të mirë të Premierligës, si Kai Havertz i Arsenalit, James Maddison i Tottenham, Harry Maguire i Manchester United dhe Jordan Pickford i Everton.
Kjo “bazë” ekzistuese e bën edhe më të natyrshëm kalimin e Puma-s në rolin e furnizuesit zyrtar të topave për Premier League, pasi kompania ka ndërtuar tashmë lidhje të forta me futbollin anglez. (A2 Televizion)