Premier League shtyu futjen e teknologjisë së pozicionit jashtë loje gjysmë të automatizuar pas incidentit në ndeshjen e raundit të pestë të Kupës së Anglisë, mes Bournemouth-it dhe Wolves.
Teknologjia, e cila u testua për herë të parë në futbollin anglez në shtatë nga tetë ndeshjet e raundit të pestë, dështoi në ‘Vitality Stadium’ për shkak të asaj që burimet federative e përshkruan si një “zonë e mbushur e 16-metërshit”.
Kjo çoi në një pritje të paprecedentë prej tetë minutash, ndërsa videoarbitri, Timothy Wood, kreu tri verifikime përpara se të anulonte golin e Milos Kerkez të Bournemouth-it për pozicion jashtë loje.
Plani për ta futur këtë teknologji në Premier League pas pushimit ndërkombëtar të këtij muaji është shtyrë. Pavarësisht kësaj, Federata Angleze e Futbollit ka konfirmuar se do të kryejë një test të ri në tri nga ndeshjet çerekfinale të Kupës së Anglisë dhe do të vazhdojë ta përdorë atë në gjysmëfinale dhe finale.
Sipas ‘The Guardian’, burime nga Premier League tregojnë se ata dëshirojnë të implementojnë sistemin gjysmë të automatizuar të pozicionit jashtë loje këtë sezon, por për këtë duhet mbështetja e klubeve.
Koha më e hershme për ta futur këtë sistem do të ishte fundjava e 5 dhe 6 prillit, megjithëse disa klube po vënë në pikëpyetje nëse një ndryshim kaq i madh duhet të bëhet kur kanë mbetur vetëm tetë ndeshje nga fundi i sezonit.
Klubet kishin votuar unanimisht për futjen e teknologjisë SAOT në prill të vitit të kaluar dhe ishte planifikuar të hynte në përdorim në tetor, por testimet në stadiume zbuluan probleme me saktësinë, të cilat u zgjidhën vetëm muajin e kaluar.
Drejtori i futbollit në Premier League, Tony Scholes, pranoi se kishte “dyshime serioze” për zbatueshmërinë e teknologjisë në shkurt dhe shqetësimet ende vazhdojnë.