Vllaznia po kalon një moment fantastik në kampionat. Fitorja e fundit ndaj Partizanit në Tiranë ka bindur edhe pesimistët më të mëdhenj në Shkodër për skuadrën e Agim Canajt. Teksa u nis sezoni me probleme financiare, rezultatet pozitive ndikuan shumë që bashkia të bënte një sforco. Premiot ishin motivuese për futbollistët dhe dje drejtuesit mbajtën sërish fjalën. Ekipit iu shpërnda një premio prej 3 milionë lekësh të vjetër. Edhe pse ndoshta në pamje të parë kjo është një shumë modeste, kur bëhet fjalë se do t’u shpërndahet 18 futbollistëve, përsëri ka lënë të kënaqur këta të fundit. Mirëpo, nga sa mësohet, skuadra do të ketë në dispozicion një shpërblim edhe më të majmë, në rast se arrin të marrë fitoren e radhës kundër Bylisit në shtëpi.
Rivaliteti – Mbrojtja dhe mesfusha janë të mbipopulluara. Trajneri Canaj ndoshta nuk i kishte bërë kurrë llogaritë pa dy titullarë si Beqiri dhe Rajoviç në prapavijë, por ia doli të fitonte ndaj Partizanit. Dominim shkodranësh dhe afrimi i pak lojtarëve nga rrethet apo të huaj, duket se është çelësi i suksesit të deritanishëm. Konkurrenca për një vend është e madhe dhe alternativat bindëse që ka në dispozicion kanë kënaqur Canajn. Për ndeshjen ndaj ballshiotëve s’ka mungesa, përveç mbrojtësit Rajoviç e Gocaj, që kanë probleme të ndryshme.
Titullarët – Canaj pritet të bëjë vetëm një lëvizje në formacion, krahasuar me ndeshjen e fundit kundër Partizanit. Kapiteni Elvin Beqiri do të rikthehet titullar, pasi mungoi për shkak të pezullimit për kartonë. 33-vjeçari do të luajë në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa qendra do t’i besohet sërish dyshes Sykaj-Kraja. Në krahun e majtë rikonfirmohet Boci, ndërsa nga mbrojtësit i vetmi që mbetet jashtë është Gocaj. Me Vujadinoviç në portë dhe katër lojtarët para tij thuajse të fiksuar tashmë, Canaj duket se nuk do të bëjë asnjë lëvizje edhe në mesfushë. Edhe këtë herë ky repart do të jetë i ngjeshur me 5 lojtarë: Shtubinën, Tafilin, Belishën, Hajdarin dhe Krujën. Ky i fundit do të jetë në mbështetje të sulmuesit të vetëm, kroatit Bushiç. Në kushtet kur Vllaznia sulmon, skema e shkodranëve bëhet 4- 3-3, ndërsa kur ekipi mbrohet, ajo shndërrohet në 4-5-1. Canaj tashmë e ka stabilizuar formacionin, pasi edhe ndryshimet më së shumti janë bërë kur ka pasur lojtarë të dëmtuar dhe të pezulluar.
Admir URUÇI