Kukësi është i detyruar të ndryshojë strategji për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Europës ndaj Torpedo Kutaisi. Skuadra verilindore ka luajtur 180 minuta e mbyllur në mbrojtje përballë Karabak, një mënyrë loje që gjithsesi nuk i garantoi kualifikimin e mëtejshëm.
Por vetë trajneri i verilindorve, Armando Cungu, është i ndërgjegjshëm që për të kaluar përballë skuadrës gjeorgjiane, do t’i duhet që ekipi të orientohet më shumë drejt sulmit.
“Me Torpedon të marrim më shumë iniciativë, jo se do ta nënvlerësojmë, pasi është një ekip i fortë, por nuk duhet vetëm të mbrohemi, por edhe të sulmojmë”, tha ai për TV Klan.
Cungu tregon se këto ndeshje ndaj skuadrës gjeorgjiane do të jenë shumë të rëndësishme edhe për të kuptuar se cila është forca e ekipit.
“Nuk është vetëm një test me Torpedon, pasi kampionati nis pas 2 javësh dhe duhet të kem idetë e qarta për lojtarët që kam në dispozicion”, theksoi trajneri. /vipsport/