Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka zhvilluar së fundmi një takim me futbollistët e ekipit të Besëlidhjes, presidentin Xhulio Ndoka, trajnerin Nikolin Çoçlli dhe të gjithë stafin e tyre drejtues.
Kryetari Ndreu, duke treguar arritjet e futbollit lezhjan ndër vite, u ndal dhe diskutoi për gjendjen aktuale, në të cilën ndodhet sot ekipi i Besëlidhjes dhe objektivat e tij në vazhdimësi.
Një takim i tillë vjen në mënyrë për të rritur rezultatet e ekipit të Besëlidhjes, që aktualisht renditet në vendet e fundit të tabelës në Kategorinë e Parë.
“Tani, ky takim është më shumë takim për t’u njohur bashkë dhe për të diskutuar në lidhje me atë që ne e quajmë bashkëpunim të ri pak a shumë, që ne kemi krijuar tashmë me klubin e futbollit Besëlidhja, ku Bashkia është bashkëfinancuese. Lezha ka pasur një traditë në futboll. Nuk është se vjen nga hiçi.
Sot ne jemi në një diskutim, ku përveç financimit që kemi dhënë, jemi për një projekt ku nuk duhet të vazhdojë sot dhe të ndalojë nesër, por një projekt afatgjatë.
Nga ajo që parashikohet, ne për 2-3 vjet do të dalim në Superiore dhe për t’iu bërë të ditur se si i zhvillojmë ne ambiciet, shikoni ekipin e basketbollit të meshkujve, që ne e morëm, e bëmë dhe sot jemi kokë më kokë në vend të dytë me vendin e parë për një vit”,-tha gjatë fjalës së tij, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.
Maringlen ZHIVANI