Me lojën dhe golat e saj jo vetëm është një nga lojtaret më të mira të Vllaznisë dhe kampionatit shqiptar por edhe e kombëtares tonë.

Megi Doçi, futbollistja 21 vjeçare me origjinë nga Burreli por që jeton në Tiranë, në fakt ka 6 vite që ka marrë “pasaportë shkodrane”.

Ka mbërritur në këtë qytet në janar të vitit 2012 kur ishte vetëm 15 vjeçe dhe vazhdon të luajë aty. Madje nuk e ka ndër mend të largohet pa arritur një objektiv madhor.

“Nuk do të largohem nga Vllaznia pa arritur objektivin që i kemi vënë vetes, kalimin e një turi në Kupat e Europës.

Vitin e kaluar ishim shumë pranë kësaj arritje por nuk ia dolëm për pak. Shpresoj ta arrijmë këtë vit”.

Nëse arrihet, do të thotë se ajo do t’i japë lamtumirën ekipit shkodran, kuptohet për një kampionat më të fortë.

Por kjo vështirë të realizohet. Presidenti i Vllaznisë Lazer Matija që ka bërë shumë për këtë vajzë, vështirë ta lërë të largohet atë.

Skuadra është ndërtuar rreth kësaj futbollisteje dhe me të, padyshim që janë shumë objektiva të tjera për t’u arritur.
© shkodrasport.com