Fitorja e në fillimin e këtij muaji e Florian Markut ndaj Natan Bendon, bëri që viti 2019 të mbyllej me 5 fitore në po aq ndeshje të boksierit shqiptar, duke çuar bilancin e tij të përgjithshëm në ringun profesionist në 6-0. Një fillim i mbarë për 27-vjeçarin i cili synon që të lërë shenjë në peshën deri në 67 kilogram (velter).
Sem Xhouns, menaxheri i ri i tij, ka shpjeguar në një intervistë se plani është që Marku shumë shpejt të fillojë të ndeshet me boksierët më të mëdhenj në qarkullim në këtë peshë, pasi ambiciet janë që të kthehet në një duelist për brezin e kampionit.
“Floriani është një yll i madh, ka tmerrësisht shumë ndjekës. Ai do të fitojë tituj botërorë, për këtë jua siguroj unë. Ai është entuziazmues dhe ka atë fuqi shkatërrimtare që mund të kthehet në një nga ata që kënaqin turmën”, shpjegoi menaxheri i cili tregoi se të gjithë dëshironin që të kishin nën menaxhim boksierin shqiptar pikërisht për popullaritetin që ka.
“Floriani ka fansa kudo në Europë dhe Amerikë. Ne duam që ai të shfaqet në të gjithë botën dhe ushtria me fansa që ka do ta ndjekë nga pas. Kur firmosëm me të, të gjithë promotorët e mëdhenj të boksit e dëshironin. Ne e thërrasim “Mbreti shqiptar”. Sinqerisht, nuk jam ndeshur asnjëherë më parë me ndonjë që ka të njëjtën qetësi mendore si ai.
E di që është klishe e vjetër, por ai realisht ka lindur për t’u ndeshur. Ai ka nevojë për pak më tepër eksperiencë, disa ndeshje të tjera, por rreth fundit të vitit të ardhshëm, ai do të nisë të përzihet me të gjithë emrat e mëdhenj, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha promotori anglez duke treguar planet që ka për boksierin shqiptar. /vipsport/