Fushata elektorale që u mbyll dje ka sjell edhe të parin propozim interesant për Vllazninë. Atë të deputetit aktual dhe që kërkon të zgjidhet sërish për parlamentin e ri, pikërisht Tom Doshit. Në mitingun përmbyllës të fushatës, mes qindra shkodranëve, ai për herë të parë ndoshta në karrierën e tij politike, është ndalur edhe tek futbolli.
“Në ato momente kur Vllaznia rrezikonte të binte në kategorinë e dytë, sinqerisht që nuk jam ndjerë mirë. Këtë e them me sinqeritet dhe jo si ndonjë kandidat tjetër si Ditmiri (Bushati) që i gëzohej rënies nga kategoria të Vllaznisë sepse po të ndodhte kjo, Voltana do të humbte dy- tre mijë vota dhe do t’i merrte partia e tij. Unë sot i premtoj Shkodrës se do ta mbështesë Vllazninë. Dhe kompania ime farmaceutike- Profarma, do të jetë sponsor gjeneral për Vllazninë dhe do luftojmë që ajo të dali kampione”.Vërtetë të ndodhë kështu? Shumëkush dyshon për këtë gjë madje emri i Doshit është përmendur shpesherë rreth Vllaznisë por ai asnjëherë nuk ka shfaqur interes. Por së fundi, gjërat mund të kenë ndryshuar. Në ndeshjen e fundit të kampionatit që sapo u mbyll, djali i tij ka qenë në tribunën e stadiumit duke bërë tifo për kuqeblutë bashkë me disa shkodranë të tjerë që jetojnë në Tiranë. 2-3 ditë më vonë, në media doli lajmi se ata janë të interesuar për të marrë Vllazninë. Mbase, mund të jetë edhe kjo arsyeja pse Tom Doshi ka bërë një premtim të tillë dje.
© shkodrasport.com