23 korriku është një datë e rëndësishme për futbollin mbarëkombëtar, duke parë që shënon ditën e lindjes së legjendës, Fadil Vokrri. Me rastin e 62-vjetorit të lindjes së ish-presidentit të FFK, dy presidentët e federatave të Shqipërisë dhe Kosovës, Armando Duka dhe Agim Ademi, të shoqëruar nga drejtues të lartë të FFK dhe miq të Vokrrit, kanë zhvilluar homazhe te busti përpara stadiumit të Prishtinës, që mban pikërisht emrin e tij.
Pas homazheve të zhvilluara ditën e djeshme, presidenti i FSHF, Armando Duka, u shpreh se kontributi i Vokrrit në mendjen e çdo shqiptari është i paharruar. Duka theksoi se me atë që ka bërë dhe kontributin që ka dhënë për futbollin, Fadil Vokrri nuk do të vdesë kurrë.
“Kjo datë ka sjellë në jetë një nga legjendat e futbollit dhe ish-presidentin e FFK, Fadil Vokrri. Do të kishim shumë dëshirë që të jetonte më gjatë, por me atë çfarë ka bërë gjatë gjithë jetës së tij dhe kontributin e dhënë për futbollin, ai nuk do të vdesë kurrë.
Nuk do të vdesë jo vetëm në memorien e komunitetit tonë të futbollit, por edhe në memorien e çdo shqiptari, si një njëri që ka kontribuar në futboll, si një familjar i mirë, por edhe në të gjitha këndvështrimet e tij”,-mbylli fjalën e tij presidenti i FSHF, Armando Duka.
Ndërkohë, presidenti i FFK, Agim Ademi, ka folur në fjalën e tij për kontributin që Fadil Vokrri ka dhënë për futbollin e Kosovës.
“Kur e njeh Fadilin jo vetëm si legjendë, por edhe si bashkëpunëtor dhe si mik, atëherë emocionet janë edhe më të mëdha. Gjithmonë do ta kujtojmë në këtë datë në mënyrën tonë të futbollit.
Fadil Vokrri ishte mbret i fushës së blertë dhe jam shumë i lumtur që kam qenë bashkëpunëtor i tij për shumë kohë. Sot, kjo datë është emocionuese normalisht edhe për familjarët, për kolegët e tij të karrierës, për bashkëpunëtorët e tij në FFK dhe për fansat e futbollit, të cilët deri më sot nuk mund ta zëvendësojnë Fadil Vokrrin, sepse ai i kishte gjërat e veçanta dhe që janë të paarritshme, pavarësisht se edhe tani kemi futbollistë të jashtëzakonshëm.
Dje, Fadili do t’i bënte 62-vjet. Ai jetoi pak, por veprat e tij flasin sikur të jetonte 200-vjet. Me veprat e tij, ai gjithmonë do të jetë i pranishëm dhe nuk do të harrohet nga të gjithë shqiptarët”, përfundoi presidenti i FFK, Agim Ademi fjalën e tij.
Maringlen ZHIVANI