Me fitoren në Korçë, Dinamo ka kapur vendin e katërt në renditje. Ecuria e mirë e bluve në javët e fundit, me 4 fitore dhe 1 barazim, sigurisht që ka rritur entuziazmin, por edhe pse nuk fshihen për objektivin e “Final 4”, kryeqytetasit qëndrojnë me këmbë në tokë dhe tashmë shohin vetëm ndeshjen e radhës me Vllazninë. Ata e kanë të qartë se nuk kanë arritur ende asgjë dhe se duhet qëndrueshmëri për të përballur pjesën e mbetur të sezonit.
Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, në një prononcim për “Panorama Sport”, komentoi shkurt atë incident sporadik me tifozët korçarë pas ndeshjes me Skënderbeun e më pas flet për ngritjen, gjendjen e skuadrës dhe atë çfarë pret në vazhdim të këtij kampionati.
“Nuk pati asnjë fërkim, nuk mund ta quaj incident. Disa tifozë korçarë që ishin aty u afruan dhe po flisnin për pretendimet se arbitrimi ishte kundër Skënderbeut. Nuk ka rëndësi ai moment”, ka thënë kreu i klubit blu.
Më tej ai ka shtuar: “Dinamo nuk është skuadër arbitrash, nuk merret me ta. Unë gjithmonë kam qenë i kënaqur me arbitrat. Edhe mund të na kenë dëmtuar në ndonjë rast, mund të kenë gabuar, por me këtë punë merren njerëzit kompetentë të këtij profesioni. Ajo që e them me forcë është se Dinamo çdo pikë e ka fituar me djersë në fushën e lojës. Nuk e mohon dot kush.