Dinamo po kalon një situatë mjaft të vështirë në fazën e parë të kampionatit. Rezultatet flasin qartë dhe në këto kushte pyetja e parë që mund të bëhet ka të bëjë me vazhdimin apo jo të trajnerit Luixhi di Biaxho në krye të bluve.
Në çdo klub tjetër të Superiores ai do të ishte shkarkuar tashmë, nuk do shumë koment, por te Dinamo gjërat janë pak më ndryshe. Me italianin ky klub ka nisur një projekt në verë, që synon t’i çojë 18 herë kampionët e vendit në majat e futbollit shqiptar. Dhe kështu do të vazhdohet, të paktën për momentin.
“Di Biaxho ka 100% besimin tim dhe të bordit. Do të jem në fushë bashkë me të në fillim të javës…”, ka thënë presidenti Ardian Bardhi për “Panorama Sport”.
Një konfirmim për trajnerin që ka nisur sezonin me Dinamon, ndërsa pjesa e dytë e fjalisë, edhe pse është thënë pak me humor, ka edhe një mesazh brenda saj, që mund të lidhet me lojtarët. Trajneri padyshim ka përgjegjësitë e veta në ecurinë e deritanishme të bluve, me 7 pikë në 8 javë kampionati.
Në anën tjetër, edhe lojtarët kanë përgjegjësinë e tyre për çfarë skuadra ka bërë në fushë. Luhatjet kanë qenë shumë të forta, me Dinamon që nuk ka mentalitetin e duhur në fushë, të një klubi që është shpallur 18 herë kampion.
Megjithatë, konfirmimi i presidentit për trajnerin nuk është i përhershëm. Nga sa kuptohet, italianit do t’i jepet mundësia të luajë gjithë shanset e tij, deri në fund, por që ka edhe limite. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, Di Biaxho mund të largohet. “Pres një ndryshim të shpejtë”, ka theksuar dje Bardhi.
FOTO ME SHEHIN- Në ditën kur klubi i Tiranës vendosi të largonte trajnerin Orges Shehi, ky i fundit u shfaq në një foto me presidentin e Dinamos, Bardhi, si dhe gazetarin Gerti Çarçani.
Ka qenë vetë kreu i klubit bardheblu, Refik Halili, i cili ka thënë se Shehi festoi pezullimin nga Tirana me presidentin e Dinamos.
Mirëpo, për të sqaruar atë fotografi dhe deklaratën e Halilit, ekskluzivisht për gazetën, Bardhi u shpreh: “Ishte vetëm një rastësi dhe kaq. Orges Shehin nuk e kam njohur kur u bë trajner i Tiranës. Një përshëndetje, një foto… Nuk ka asgjë të keqe besoj. E kam telefonuar presidentin e Tiranës dhe e kam qartësuar”.