Humbja në Burrel, nuk ka kaluar në heshtje te Dinamo. Edhe pse ruajtën kreun, u dhanë shansin rivalëve që të afrohen. I shqetësuar për lojën e zhvilluar, presidenti Ardian Bardhi ka reaguar menjëherë.

Ka zhvilluar së pari një takim me trajnerin Nevil Dede, ku ka kërkuar të mësojë shkaqet e asaj paraqitjeje aq zhgënjyese. Por nuk do ta lërë me kaq, pasi më datë 24 shkurt do të ketë edhe një analizë të thellë me gjithë skuadrën. Enkas për “Panorama Sport”, numri një i klubit konfirmon mbledhjen që do të bëhet nesër dhe pritshmëritë që ka nga ndeshja e kësaj jave.

“E vërteta është se kam qenë shumë i mërzitur pas humbjes në Burrel. Kemi ngritur menjëherë ‘antenat’ pas asaj ndeshjeje, sepse nuk është kjo Dinamo që unë dhe gjithë dinamovitët duan. Nuk është kjo skuadra që meriton kjo fanellë. Pres reagim të menjëhershëm nga Tomori dhe në gjithë takimet e tjera, deri në fund të kampionatit.

Vërtet jemi në vend të parë ende, por nuk mund të rrezikojmë kështu objektivin tonë. Jam takuar me trajnerin dhe do të kemi edhe një analizë tjetër më datë 24. Nuk kemi investuar për të parë një Dinamo jo si ajo që në Burrel në ndonjë ndeshje tjetër”, tha fillimisht Bardhi, që vendosi edhe një kusht.

“Tani e tutje pres vetëm fitore. Dua të tregojmë vlera e të mos e vëmë në diskutim vendin e parë dhe ngjitjen. Është detyrim kreu për investimin që kemi kryer dhe gjithë punën, të cilën po bëjmë në klub, duke nisur nga selia jonë e re në Arbanë. Kërkoj që skuadra të ruajë pozicionin, të cilin ka në renditje dhe me diferencë më të madhe pikësh. Do të kërkoj që të ndryshojë ritmi dhe besoj se kështu do të ndodhë.

Puna ime, siç e kam thënë gjithmonë, ka qenë e fokusuar te kompleksi ynë, sepse është diçka shumë e rëndësishme. Jo vetëm Dinamo, po çdo klub tjetër futbolli e ka të vështirë kur nuk është e stabilizuar në një vend. Ju garantoj se në vazhdim do të jetë ndryshe.

Deri tani Dinamo ka qenë si ai fëmija që rritet dhe që të bëhet i fortë duhet të përballet me të gjitha ‘viruset’, të gjitha ‘mikrobet’. Tani pres që situata të ndryshojë dhe në fund të jemi atje ku duam, në Superiore”, përfundoi kreu i klubit.