Për të është kohë shumë e ngarkuar. Fushata elektorale, takimet dhe punët e tjera, duket se ia kanë zbehur mundësinë për të menduar për Vllazninë. Megjithatë nuk është kështu. Presidenti I klubit shkodran Agron Çela ndeshet me shqetësimin e tifozëve për skuadrën kuqeblu çdo ditë, në çdo takim që ka me njerëzit, ata kanë vetëm një pyetje: Çdo bëhet me Vllazninë? Kështu presidentit- kandidat për deputet I ka ndodhur edhe ditën e djeshme në një takim që ka patur me banorët e një lagjeje të qytetit. Dhe përgjigja e Çelës ka qenë e drejtëpërdrejtë:

“Vllazninë pavarësisht angazhimeve të fushatës nuk e lë pas dore asnjëherë. Unë çdo ditë mendoj për të. Bashkë me trajnerin jemi të angazhuar maksimalisht për të gjetur lojtarët e duhur. Nuk jemi vonë sepse kampionati fillon në fund të gushtit dhe kemi shumë kohë në dispozicion. Megjithatë po ju bëj të ditur se shumë shpejt, Brenda pak ditëve tek Vllaznia do të vijnë 5 futbollistë që do jenë edhe  blerjet e para të saj. Keni për ta parë shumë shpejt prezantimin e tyre, Brenda pak ditëve”. Në fakt Çela ka kohë që e thotë këtë gjë. Planet duket se janë bërë. 3-4 futbollistë do vijnë nga kampionati malazez I futbollit, falë edhe marëdhënieve shumë të mira që janë krijuar me 2-3 klube të këtij vendi. Përpos tyre, mund të jetë edhe ndonjë futbollist tjetër I kampionatit shqiptar megjithatë ende nuk dihet taman se çfarë skuadre do ndërtohet për sezonin e ri. Kjo ngaqë dy nga futbollistët më të mirë të skuadrës, Vujadinoviç dhe Dragoi ende nuk kanë kthyer përgjigje positive për rinovim. Smajli është larguar, po ashtu Shtubina është thuajse I larguar dhe në kushte të tilla edhe Marku ka marrë një ofertë. Sakaq, tre futbollistë të tjerë, Nallbani, Deliç e Begaj u patën lënë të lirë pa mbaruar ende kampionati. Ende nuk është thënë po ashtu nëse do rinohet me Rexhën. Të gjithë këto dilema duhet të marrin një zgjidhje sa më shpejt megjithatë presidenti Çela ka garantuar edhe njëherë ndërtimin e një skuadrë shumë të mirë. Ai nuk është ndalur në emra megjithatë para tifozëve është shprehur: “Të jeni të bindur se do të ndërtojmë një super- ekip për sezonin e ardhshëm”. Këtë shprehje në fakt ai e ka përmendur shpesh gjatë kësaj periudhe. Tifozët gjithsesi duan që ajo të bëhet realitet dhe jo të mbesë thjesht premtim electoral. Megjithatë mbase duhet të presim edhe disa kohë. Ndoshta deri nga mesi I muajit qershor skuadra do fillojë të konturohet në mënyrë që në fund të muajit të ardhshëm, të jetë e plotë për të nisur nga stërvitjet. Tifozët kuqeblu në fakt janë të etur për të parë një Vllazni kampione. Janë mbushur plot 12 vite që ajo nuk gëzon me një trofe të tillë dhe nuk duan të kalojnë vite të tjera. Megjithatë, duke parë edhe lëvizjet e skuadrave të tjera pretendente në merkato, të krijohet ideja se për kuqeblu edhe sezoni I ardhshëm do jetë I vështirë për të realizuar këtë objektiv.
Gjergj KOLA