Pjesën e dytë të ndeshjes me Bylisin e ka ndjekur mes tifozëve. Presidenti i Vllaznisë Agron Çela ka ndjerë emocionet e vërteta të një tifozi dhe ankthin për të pritur me padurim fundin e ndeshjes për të dëgjuar vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit që do t’i jepte fitoren e katërt Vllaznisë. I pyetur në lidhje me këto emocione, numri 1 i klubit shkodran do të shprehej: “U kisha premtuar tifozëve një ditë para ndeshjes se do ta shihja bashkë me to atë dhe kështu veprova, duke qenë njëri prej tyre në mbështetje të Vllaznisë për arritjen e një tjetër fitoreje”.

Nga ana tjetër, duke folur në lidhje me takimin ndaj Bylisit, Çela e pranon se ka qenë një ndeshje e vështirë dhe për këtë do thoshte: “Marrja e kësaj fitoreje nuk ka qenë e lehtë, sidomos në pjesën e dytë kundërshtari e rriti lojën dhe na vuri në vështirësi megjithatë Vllaznia ia dolim mbanë të merrte edhe një tjetër fitore. Tre pikët kishin shumë rëndësi për ne sepse duam të ngjitemi në renditje. Jemi të pestët megjithatë deri në fund do të kërkojmë të marrim sa më shumë pikë për të arritur objektivat që kemi. Gjërat duhet t’i marrim shtruar dhe të fillojmë të mendojmë njëherë për ndeshjen e ardhshme me Laçin që është një kundërshtar shumë i fortë”.
Gjergj KOLA