Miqësorja e luksit mes Vllaznisë dhe Tiranës ka përkuar edhe me prezantimin zyrtar të presidentit të ri të klubit shkodran. Agron Çela dje ka dalë për të parën herë para publikut kuqeblu si kreu më i lartë i kësaj skuadre. Ai ka qenë i pranishëm në tribunën VIP, ndërsa përkrah tij nuk munguan as nënkryetari i bashkisë, Troshani, Gjyrezi, por edhe administratori i bardhebluve, Tagani.
Prezantimi i Çelës është shpërblyer në një farë mënyre nga skuadra me fitoren bindëse me shifrat 3-1, ndërsa u duk qartë se vetë presidenti ishte i kënaqur me paraqitjen e ekipit. Në këtë takim ra në sy edhe interesi i madh i tifozërisë, që e ka përkrahur dhe në fund ka mbetur tejet e kënaqur me paraqitjen e ekipit. Në fakt, dëshira e të gjithëve, duke filluar që nga numri një i klubit, tashmë është që me të njëjtin ritëm të nisë edhe faza e dytë dhe Vllaznia të jetë një pretendente serioze për të zënë një vend në katërshen e parë.
Admir URUÇI