Presidenti i Vllaznisë Agron Çela ka reaguar sot në lidhje me pretendimet e djeshme të futbollistit Klodian Semina se gjoja është larguar nga skuadra për arsye se atij nuk iu rinovua kontrata dhe se ka marrë një rrogë prej vetëm 490 mijë lekësh të vjetra. Duke folur në lidhje me kërë çështje per gazeten online www.shkodrasport.com, ai ka thënë: “Të them të drejtën jam habitur nga ato çfarë kishte thënë ky futbollist. Ai u largua nga Shkodra duke na thënë se kishte probleme familjare dhe nuk është aspak e vërtetë se më ka pritur mua që të ulemi dhe të merremi vesh për rinovimin e kontratës.

Dua të sqaroj se nuk kemi biseduar asnjëherë për këtë çështje. Nëse unë do filloja të mendoja për skuadrën e sezonit të ardhshëm, nuk kishte pse ta bëja me një lojtar si Semina që nuk është nga më të mirët e skuadrës por do ta filloja nga ato më të rëndësishmit. Pastaj një tjetër e pavërtetë është ajo se një muaj më parë më pat thënë se do shkonte për t’u provuar në Kinë dhe jo për të firmosur kontratë. Unë sigurisht që nuk mund ta lejoja të shkonte të provohej duke lënë skuadrën se nuk kishte kuptim. Sa për rrogën a pretendime të tjera që ai mund të ketë shfaqur, mund të them se në momentin që kam marrë përsipër drejtimin e Vllaznisë, kam marrë përsipër të zbatoj edhe kontratat që futbollistët kanë patur të firmosura që më parë. Sesa rrogë ka patur Semina, mua s’më intereson. Përkundrazi, për t’i simuluar më tepër ata që luanin në formacion, u kam premtuar bonuse. Për të gjitha këto, them se janë pretendime të pabaza të këtij lojtari”. Gjërat duken mëse të qarta. Palët nuk janë marrë vesh me njëra-tjetrën dhe zhurma e krijuar nga ana e lojtarit ka qenë më tepër arficiale për të shmangur ndonjë problem personal të tij. Këtë e pranon edhe vetë presidenti Çela kur per www.shkodrasport.com thotë: “Semina më ka kërkuar ndihmë për të zgjidhur disa probleme personale të tijat dhe i kam premtuar se do ta mbështes por nuk është aspak logjike që ai të largohet në këtë mënyrë nga skuadra dhe të hedhë baltë mbi ne si drejtues për anën financiare. Ai ka bërë një gabim të madh që është larguar dhe në kushte të tilla, edhe nëse vendos të kthehet sigurisht që do humbasë shumë gjëra sepse s’rri kush të presë do kthehet apo jo Semina por do luajnë të tjerët që e kanë mendjen vetëm tek stërvitja dhe jo si ai që problemet e tij personale, kërkon t’ia bashkangjisë sportit, madje edhe të sajojë të pavërteta. Une kam qene dhe do jem korrekt deri ne fund me te gjithe futbollistet por sigurisht qe dua korrektese edhe nga ana e tyre per zbatimin e kontratave nese ata duan qe te jene ne rregull me mua”.
Gjergj KOLA