I thjeshtë deri në ekstrem! Ky është presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, i cili prej tri vitesh investon në klubin rrogozhinas. Ecuria sportive e një skuadre nga qyteti i vogël në Shqipërinë e Mesme, u ngrit dhe lartësua falë vizionit të këtij njeriu.
Aktualisht Egnatia po përjeton historinë më të suksesshme të saj që nga themelimi si klub, teksa në 15 javë kampionat, pozicionohet në vendin e tretë, duke rivalizuar me Partizanin dhe Tiranën për kreun e tabelës. Për shumë vite futbolli në Rrogozhinë kishte ndier jo pak vështirësi, por këto të fundit tanimë janë një fjalë e hedhur “prapa krahëve”.
Rrogozhina me Agim Demrozin po ecën me hapa të shpejtë dhe të sigurt, qoftë për pjesën teknike të ekipit, ashtu edhe për infrastrukturën, që nga investimi në stadium dhe deri te kompleksi stërvitor. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, vetë Demrozi mundohet të tregojë ambiciet që ka në krye të klubit dhe atë që pret nga ky sezon.
Zoti Demrozi, në më pak se 3 vite në krye të Egnatias, sukseset janë të shumta. Për ju cili është momenti që ju ka kënaqur më tepër?
Dua t’i përmbledh në pesë pika ato që kemi arritur deri më tani. Së pari, ngjitja në Kategorinë Superiore në sezonin 2019-2020 si kampionë. Mbijetesa në elitë në sezonin e shkuar dhe tani ecja e sigurt, ku në 15 javë kampionat ne renditemi të tretët. Dy pikat e tjetra janë stadiumi i ri, “Arena Egnatia”, me të gjithë komponentët dhe kompleksi i ri stërvitor në Lekaj. Kaq sa për të kuptuar thelbin, sepse ka shumë e shumë gjëra të tjera më të imëta.
Ekipi e mbylli vitin në vendin e tretë, që është arritje historike për Egnatian. E prisnit këtë ecuri pas atij fillimi me luhatje?
Dua t’i bëj komplimente skuadrës për sa ka arritur deri tani. Mund të them se me trajnerin Shpëtim Duro kemi gjetur timonierin e duhur që të bëjmë përpara drejt synimeve që kemi përcaktuar në fillim të sezonit.
A mund ta quajmë të kompletuar infrastrukturën për skuadrën?
Të gjithë e dinë tashmë që Rrogozhina ka një fushë dhe një stadium model. Veçmas kësaj, ne ngritëm edhe një kompleks stërvitor po të tillë. Pa folur për kushtet ideale edhe në ambientet e brendshme, ku nuk mungon asgjë në shërbim të ekipit.
Çfarë ju ka bërë më tepër përshtypje deri më tani te skuadra?
Pa diskutim kam një përshtypje të mirë për grupin që kemi formuar, pasi kemi një bazë të qëndrueshme. Kjo duket në çdo ndeshje dhe veçanërisht në takimet jashtë fushe, ku skuadra ka marrë edhe më shumë pikë se brenda. Sigurisht janë të paharruara fitoret brenda me Vllazninë dhe Partizanin, që i kemi fituar të dyja me rezultatin 3-0.
Këtë sezon Egnatia po lufton në dy fronte. Nga kampionati apo Kupa mendoni se mund ta arrini më shpejt qëllimin për të marrë pjesë në Europë?
Nuk ka mbaruar ende gjysma e parë e kampionatit, por rruga jonë është e qartë si drita e diellit. Duam të jemi përkrah pretendentëve dhe gjithashtu në Kupë të shkojmë pse jo deri në finale. Pastaj, nëse do të fitojmë trofeun, kjo do të ishte një tjetër mrekulli mes shumë gjërave të mira që po bëhen për futbollin në Rrogozhinë. Më vjen mirë që tani, ndryshe nga më parë, nuk po paragjykohemi më si një skuadër e vogël, por si Egnatia që luan një futboll të bukur.
Duke qenë se akademia është baza e një klubi, çfarë planesh keni me grupmoshat në Rrogozhinë?
Mendoj se kemi krijuar perspektivën më të mirë dhe më të sigurt të futbollit në një qytet që e ka tashmë krenari këtë përfaqësim dinjitoz që po bëjmë. E ardhmja për mua është e sigurt dhe kjo fillon nga investimet serioze që ne po bëjmë për të gjitha kategoritë e grupmoshave, të cilat kanë nisur të luajnë në kampionatet respektive, duke marrë rezultate pozitive. Ky është një inkurajim i bukur për momentin, por edhe të ardhmen më të mirë të tyre.
Së fundmi, mund të themi se kjo modesti që keni në sjellje është diçka që ka ndikuar direkt edhe në ekip…
Keni të drejtë. Por unë kështu jam gatuar. Misioni im për sa fola më sipër është i qartë në gjithçka.
Deri ku do të shkojnë ambiciet tuaja në krye të Egnatias?
Për momentin them se janë një gur i çmuar mbi investimet e bëra. Por, nuk do të ndalemi me kaq…