Egnatia është kthyer në ekipin e çudirave ku vazhdon të demonstrojë lojë të mirë në transfertë duke marrë pikë në Shkodër, Laç, Tiranë apo së fundi me Partizanin.

Ndaj të kuqve mungonin Agbepornu dhe Krivanjeva, ndërsa Ademi luajti i dëmtuar. Ajo që habit është lehtësia me të cilën rrogozhinasit humbën dy pikë ndaj Partizanit.

Shtubina shënoi në minutën e 88-të e më pas të kuqtë me 9 lojtarë shtynë përpara. Çdo ekip, kur ka përballë qoftë vendin e fundit jo më Partizanin gjëja më normale do të ishte tërheqja në mesfushën e tyre për të përballuar 5 minutat e mbetura dhe me 2 futbollistë më shumë.

Këto dy pikë të lëna me Partizanin ndërkohë që Kastrioti fitoi me Teutën dhe Skënderbeu barazoi në Laç, mund t’i kushtojnë jo pak rrogozhinasve në fund të sezonit.

I njëjti gabim edhe ndaj Teutës që përtej gabimeve të gjyqtarit, ekipit më të dobët në Rrogozhinë vështirë se do të presë më Egnatia. Janë këto dy takime që së paku duhet të vlenin 4 pikë e jo 1, që duhet të ngrenë alarmin.

Kalendari që e pret Egnatian pas Vllaznisë është “flakë” pasi do të ketë dy transferta të vështira, ndaj Dinamos një rival direkt, si dhe Kukësit, që e ka mundur në tri fazat e para.

Loja që Egnatia ka zhvilluar jashtë jep besim e shpresë se lufta vazhdon e pikët janë aty. Veçse në kampin rrogozhinas kërkohet më shumë luftë, sakrificë dhe mosshpërdorim të rasteve. Një fitore e mundshme me Vllazninë dhe trepikëshi në duelin direkt me Dinamon do ta ndryshonin thellësisht situatën në renditje.

ULTIMATUMI – Ndaj shkodranëve do të mungojë kapiteni Allmuça, i pezulluar nga kartonët e verdhë. Por janë dy rikthime për trajnerin Ramadani, Krivanjeva dhe Agbekpornu, që munguan ndaj Partizanit.

Burime pranë klubit saktësojnë se presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, i ka dhënë ekipit një ultimatum duke kërkuar jo vetëm fitoren me Vllazninë, por mbi të gjitha trepikëshin në javën e ardhshme ndaj Dinamos. Vetëm nëse Egnatia arrin të marrë këto dy fitore radhazi mund të flitet e besohej se shanset për mbijetesë janë reale.