
Pragndeshja e gjysmëfinales së parë të “play off”-it Vllaznia- Klub Tirana në basketboll për meshkuj ka zgjuar interesin e të gjithëve. Ky takim, për vetë rëndësinë që ka, pritet të jetë një ndeshje aq sa e hekurt edhe spektakolare. Vllaznia po stërvitet intensivisht dhe është tepër e përqendruar për të arritur një rezultat pozitiv në sfidën që luhet sot në orën 19:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Presidenti i Vllaznisë, Sokol Dibra, para kësaj ndeshje jep të gjithë mbështetjen e tij, duke qenë sa më pranë basketbollistëve. Dibra thekson se në këtë takim pret patjetër një fitore nga skuadra e tij. “Patjetër që është një ndeshje e vështirë për ne. Megjithatë, Vllaznia pretendon vetëm fitoren në këtë ndeshje. Në skuadër ka optimizëm dhe të gjithë po japin maksimumin, në mënyrë që ta nisim sa më mbarë ‘play off’-in. Kërkojmë mbështetjen e tifozërisë, edhe pse kohët e fundit nuk kanë munguar asnjëherë. Klub Tirana është një ekip i mirë, por në Shkodër do të dalë e mundur”, – ka deklaruar Dibra. Kreu i kuqebluve ndjek çdo seancë stërvitore, duke treguar se është shumë pranë ekipit dhe se ka një projekt serioz me këtë skuadër. Pak ditë para ndeshjes ka nisur interesimi i tifozërisë. Në Shkodër tashmë një pjesë e mirë e biletave janë shitur dhe të premten pritet që pallati i sportit të jetë i mbushur duke mbështetur Vllazninë për ta ndihmuar në arritjen e suksesit. Bileta ka një çmim simbolik prej 100 lekësh, ndaj tifozët kanë siguruar një të tillë menjëherë sapo kanë dalë në treg, në mënyrë që të mos humbasin spektaklin e fundjavës mes Vllaznisë e bardhebluve.
Senad NIKSHIQI