Bledar Gjeçaj do të vazhdojë të jetë trajner i ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Pavarësisht se mbrëmjen e së premtes ai ka deklaruar se do të japë dorëheqjen nga kjo detyrë, ditën e sotme gjërat kanë ndryshuar. Edhe për atë se vetë Gjeçaj ka qenë më i qetë. Mësohet se pasditen e djeshme është zhvilluar një analizë e këtij ekipi me shefin e klubit Mark Kroqi dhe ky i fundit i ka vënë kusht trajnerit fitoren me ekipin Mornar të Tivarit në ndeshjen e ardhshme të Ligës Ballkanike. Nëse nuk do fitohet kjo ndeshje, shefi i klubit ka lënë të kuptohet se mund të ketë masë ndaj trajnerit. Kjo nuk i ka pëlqyer Gjeçajt që në një situatë të tillë ka vendosur të largohet vetë. Por sot gjërat kanë ndryshuar. Edhe për atë se basketbolli është shoqatë më vehte dhe ka një president që është Sokol Dibra me të cilin janë të firmosura të gjitha kontratat e sportistëve dhe trajnerëve. Ky i fundit, pra presidenti Dibra, ka konfirmuar për televizionin Rozafa se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në këtë drejtim. Thjesht ka qenë një tension i panevojshëm në mes palëve por nga ana tjetër ai ka garantuar se Bledar Gjeçaj do të vazhdojë punën si trajner në krye të këtij ekipi. Presidenti Dibra po ashtu ka konfirmuar se me këtë trajner, Vllaznia do t’i fitojë të gjitha trofetë e basketbollit shqiptar edhe këtë sezon. Ndërkohë vetë Gjeçaj, i pyetur nëse i mbahet fjalës për dorëheqje apo jo, ka thënë se do të vazhdojë punën në krye të ekipit pas garancisë që ka marrë nga presidenti me të cilin ka firmosur edhe kontratën. Në këtë mënyrë, kjo zhurmë e panevojshme e krijuar pasditen e së premtes është mbyllur shpejt dhe Vllaznia në basketboll për meshkuj pritet të thotë fjalën e vet sërish në të gjitha pallatet e sportit në Shqipëri.
© shkodrasport.com