Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka qenë i pranishëm sot në stadiumin e Rrogozhinës për një ceremoni simbolike para ndeshjes Egnatia-Elbasani, ku u inaugurua në mënyrë zyrtare rikonstruksioni i impiantit të këtij qyteti, edhe pse është vënë në punë prej kohësh.

Ai foli para ndeshjes për RTSH, ku diskutoi edhe ecurinë e kampionatit të Superiores, por la të kuptohej se ajo mund të ndryshonte pas mbylljes së këtij edicioni. Një lajm i mirë për tifozët që kanë kritikuar hapur formulën e cila ka zbehur bukurinë e aktivitetit dhe garën sportive.

“Kampionati? Sidomos pjesa e dytë e tabelës është vërtetë interesante, mund të ndryshojë pas çdo takimi renditja. Siç pamë dje që dy skuadra nga fundi, Skënderbeu fitoi në transfertë dhe Bylisi kundër Vllaznisë, Teuta barazoi me Dinamon. Dhe nga vendi i gjashtë deri në të dhjetë, nuk mund të parashikosh asgjë. Është interesant, presim deri në fund se kush do të jetë verdikti final.

A do jetë përsëri formula me “Final Four”? Të përfundojë një herë e pastaj do të bisedojmë dhe do të shohim se cila do të jetë skema e vitit tjetër, bashke me vetë aktoret, pjesëtarët e Ligës Profesioniste të klubeve shqiptare”, tha Duka, duke dhënë sinjale se ekzistonte mundësia e ndryshimit të saj.