“Kombëtarja shqiptare ka treguar paraqitje të mira në këtë kampionat europian për të cilin duhet të jemi krenarë, pavarësisht se e kemi gjetur veten në të ashtuquajturin ‘grup ferri’. Dua të falënderoj të gjithë lojtarët që kontribuan në fazën kualifikuese dhe ata që morën pjesë në finalet e turneut, mendoj se kemi bërë një paraqitje të mirë në të tria ndeshjet e grupit. Nuk jam i kënaqur vetëm me rezultatet, për faktin se mund të kishim arritur më shumë. Kështu ka deklaruar Armand Duka, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, në një intervistë të dhënë për Sportitalia, ku nuk mungoi dhe vlerësimi për Kristjan Asllanin, mesfushori i cili aktivizohet në radhët e Interit. “Pa dyshim lojtari më i mirë i Evropianit nga radhët e përfaqësueses kuqezi”, tha ai.

Edhe për të kaluar grupin?

“Kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës krijuam mundësi shënimi dhe raste për të grumbulluar më shumë pikë dhe ishim në garë për t’u kualifikuar deri në ndeshjen e fundit. Mund ta kalonim grupin me pak më shumë vëmendje dhe inteligjencë, por përvoja është shumë e vlefshme në këtë nivel për të menaxhuar situatat ku presioni është shumë i lartë, pa harruar tifozët shqiptarë, të cilët ishin fantastikë gjatë Euro 2024, duke mbështetur skuadrën pa u kursyer si çdo tifoz tjetër në këtë kampionat europian jashtë stadiumeve”.

A do të qëndrojë Sylvinho?

“Kontrata e trajnerit përfundon pas Kampionatit Evropian, por tashmë i kemi propozuar një rinovim që nga janari. Mendoj se do ta finalizojmë së shpejti, duam të vazhdojmë bashkëpunimin. Sylvinho shkoi me pushime për disa ditë dhe javën e ardhshme do të takohemi përsëri për të diskutuar këtë temë dhe për të vazhduar punën”.


A ishte Asllani më befasuesi i skuadrës? Ai ishte në një nivelme Modric, Rodri dhe Jorginho?

“Për mua, Asllani ishte padyshim lojtari më i mirë i kombëtares shqiptare në Kampionatin Evropian. Ai u dëshmua si një nga elementët kyç të ekipit dhe mori drejtimin e lojës si një veteran me përvojë. Është një nga talentet më premtues të Shqipërisë, ka potencial të jashtëzakonshëm, hapësirë ​​të madhe për përmirësim. Nuk i mungojnë cilësitë teknike, vizioni i lojës dhe ambicia për t’u bërë një lojtar i madh. Në Euro 2024 ai tregoi se nuk ka asgjë më pak se emrat e mëdhenj të futbollit evropian. Është ende i ri dhe i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë lider i kombëtares shqiptare”.