Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka komentuar mbledhjen për krijimin e Ligës Profesioniste duke thënë se ky është një hap i rëndësishëm dhe se kjo Ligës do të kontrollojë gjithçka që i takon. Ai ka folur edhe në lidhje me komisionet apo edhe të drejtat televizive.

“Liga profesioniste? Mbledhja ishte iniciativë e klubeve të Kategorisë Superiore, për të përfunduar procesin e krijimit të Ligës profesioniste, e cila përfundoi me sukses dhe u vendos krijimi i Ligës. U bënë zgjedhjet për drejtuesin e saj me konsensus të të gjitha klubeve. Do të jetë zoti Edvin Libohova drejtuesi i Ligës. Tani Liga duhet të regjistrohet sipas rregullave dhe procedurave juridike dhe do të fillojë aktivitetin e saj, për të marrë në dorë administrimin, organizimin dhe mirë menaxhimin e aktivitetit të Kategorisë Superiore.

Rëndësia? Teorikisht duket një proces shumë i mirë dhe i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. Në konceptin tim, ajo çka është kryesorja, duke qenë me interes të një grupi më të ngushtë se federata e Futbollit, do i shohë më mirë, do t’i menaxhojnë më mirë, do të kujdes më mirë ndoshta për të rritur imazhin e këtij produkti të përbashkët, për ta mbrojtur më shumë dhe për t’i diskutuar dhe zgjidhur problemet e tyre në tavolinë dhe jo jashtë saj.

Mungesa nga Tirana? Në dijeninë time ishte një mungesë për arsye objektive, por jo se është kundër krijimit të Ligës. E ka mbështetur iniciativën e krijimit të Ligës, madje e ka firmosur edhe statutin e saj.

E drejta televizive? Të gjitha të drejtat e menaxhimit të aktivitetit të Kategorisë Superiore do t’i ketë Liga. Të drejtat e emrit, të drejtat e marketingut, të drejtat televizive etj.

Komisionet? Komisionet juridike dhe Komisionet e arbitrave janë një dhe nuk mund të ketë komisione paralele, por gjithsesi Federata do i japë akses Ligës që të kontrollojë 100% ato çka kanë lidhje dhe interesa të garës tyre.

Dorëheqje nga Libohova? Jo. Të gjitha duhet të miratohen nga Asambleja e Futbollit, e cila do të mblidhet në gjashtë mujorin e parë të vitit e ardhshëm. Në statut do i propozohet Asamblesë që gjithmonë presidenti i Ligës të jetë dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe zëvendëspresidenti i Federatës së Futbollit.

Gara këtë sezon? Gara e këtij viti mund të vlerësohet nga ana ime me një hap pozitiv, duke e krahasuar me vitet e mëparshme. Klubet janë akoma më të organizuara, cilësia është më e mirë dhe gara është në mesin e saj. Duhet kohë për të mësuar se kush do të jetë fituesi”, tha Duka. /VipSport/