Që nga ndeshja me Turqinë ku u mundëm 0-2, Shqipëria ka mbetur pa trajner duke qenë se Kristian Panuçi u shkarkuar. FSHF ka nisur nga puna për të kërkuar një trajner të ri dhe vetë presidenti Armand Duka i ftuar në ‘Opinion’ ka folur në lidhje me situatën në Kombëtare.

Ai ka komentuar të gjithë emrat të cilët janë lakuar deri më tani në media dhe shihen si trajnerë të Shqipërisë duke i mbyllur derën ish-trajnerit Xhani De Biazi ndërkohë që ka pranuar se ka pasur kontakte edhe me shumë trajnerë të tjerë.

“Kemi folur me shumë trajnerë deri më tani por ende nuk është vendosur asgjë në lidhje me trajnerin e ri. Janë lakuar shumë emra në media dhe shumë prej tyre janë të vërtetë duke qenë se kemi folur me shumë trajnerë. Para se të zgjidhnim Panuçin, patëm folur edhe me Di Kanion por këtë herë jo, nuk kemi folur.

De Biazi? Nuk e besoj të jetë trajner i Shqipërisë. Para se të vija në emision fola me të por jo në lidhje me Kombëtaren. Me të fola vetëm për disa projekte të tjera që ka De Biazi. Donadoni është një emër i madh dhe është kandidat për stolin tonë.

Nëse arrijmë ta bindim për paketën financiare, mund të jetë trajner. Me Edi Rejan kam folur në Shkodër por nuk e kam pyetur asgjë për Shqipërinë. Thjeshtë i kam thënë se nuk e di nëse do të jem me apo pa trajner në Andorra”, tha Duka. /VipSport/