Vetëm pak ditë pasi Armand Duka kri tikoi ashpër qeverinë për mungesë investimesh në futboll dhe për faktin që nuk denjon të ndërtojë fusha futbolli për fëmijët, tani vjen një tjetër shuplakë nga kreu i FSHF-së në adresë të ekzekutivit.

Duke marrë shkas nga incidentet e fundit, por edhe nga apeli i dhjetë presidentëve të Superiores, të cilët deklaruan për “Panorama Sport” pothuajse njëzëri se policia duhet të rikthehet në stadium, Duka kalon në kundërsulm. Presidenti i FSHF-së akuzon qeverinë se po harxhon energji të pashtershme për ta shkatërruar futbollin, por sipas tij nuk do t’ia arrijnë.

Natyrisht, kreu i FSHF-së nuk përmend qeverinë dhe merret vetëm me policinë, por ligjin për të larguar policët nga stadiumet e bëri kjo qeveri vitin që shkoi. I pyetur nga “Panorama Sport” se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me Policinë e Shtetit dhe nëse do të ketë apo jo një nismë konkrete nga federata dhe klubet për të kërkuar rikthimin e policisë në stadiume, Duka u shpreh se policia duhet të bëjë minimumin e detyrës.

Deklarata

Duka i bën thirrje Policisë së Shtetit që të kryejë detyrën dhe i kujton se sa qesharakë u bënë forcat e rendit së bashku me prokurorinë pas incidentit që ndodhi në Korçë.

“Që në fillim kemi thënë se është e pamundur të organizohet futbolli në këtë mënyrë. Për shumë arsye këtë e vërtetuan faktet dhe ngjarjet e fundit. Ne i bëjmë thirrje policisë të bëjë minimumin e detyrës së saj, gjithashtu dhe prokurorisë. Në mënyrë qesharake policia deklaroi pas ndeshjes në Korçë se ‘ne po i evidentojmë agresorët’… Dhe përfundimi cili ishte? Çfarë evidentuan? Zero… Asgjë!

Mos vallë s’kishte tifozë në fushë…? Që të mos ketë polici në shkallë, duhet të kesh një shoqëri që funksionon në mënyrë të përkryer dhe do të duhej që pas ndeshjes të ishte ndaluar çdo agresor apo shkelës ligji. Po çfarë bënë këta?

Asgjë, megjithëse denoncuam ne, i dëmtuari (fotografi) dhe klubi i Flamurtarit. Nuk bëjnë asgjë, megjithëse pamjet filmike po u qorrojnë sytë çdo minutë nëpër ekrane. Këta po harxhojnë shumë energji për ta shkatërruar këtë futboll, por besoj se nuk do arrijnë”, deklaroi Duka për “Panorama Sport”.