Ishte një fitore spektakolare, në sfidën e fundit përgatitore para nisjes së Kampionatit Evropian të futbollit. “Legjionarët” e Kombëtares sonë nuk kanë gabuar pasditen e kësaj të premteje, në “Haladas Sportkomplexum”, teksa kanë mundur me rezultatin bindës, 3 me 1, ndaj përfaqësueses së Azerbajxhanit.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar, në rrjetet sociale është shprehur se falë këtyre dy fitoreve në miqësoret e fundit, Kombëtarja do të shkojë me moralin lart, në Evropian, teksa shtoi se në Gjermani duhet të japin më të mirën, për të vijuar të qënurit krenaria e shqiptarëve.
Postimi i Presidentit të FSHF, Armand Duka:
Shkojmë me moralin lart drejt Euro 2024
Triumfojmë edhe në miqësoren e dytë ndaj Azerbajxhanit dhe tani është koha të mendojmë për duelet me të bukura, ato ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.
Është një histori tjetër në Europian dhe duhet të shkojmë ta shijojmë dhe të japim më të mirën, për të vazhduar të jemi krenaria e shqiptarëve anembanë botës.
Tani nis pjesa më e bukur! Gjermani po vijmë!