Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, ka vizituar vendin tonë bashkë me presidentët e Federatave të Kosovës, Agim Ademi dhe Maqedonisë së Veirut, Muamed Sejdini. Të gjithë kanë qënë sot në vendin tonë për të parë ecurinë e punimeve të shtëpive që po rindërtohen me fondet e siguruara nga familja e futbollit pas tërmetit që goditi në nëntorin 2019.

“Kur ka një moment vështirësie të madhe siç kemi përjetuar ne në Itali në vitin 2009, siç ka përjetuar Shqipëria në vitin 2019 mendoj se popujt bashkohen dhe i përballojnë nevojat së bashku me vëllezërit dhe miqtë e tyre. E kam vlerësuar shumë disponibilitetin e Shqipërisë dhe të Presidentit Duka për të krijuar këtë moment për t’u takuar me miqtë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut sepse së bashku kemi zbuluar se jemi të apasionuar pas futbollit, por mbi të gjitha jemi miq.

Në pak kohë takohemi, në pak kohë arrijmë të ndajmë ato që janë vlerat e vërteta të sportit. Kjo është forca e madhe e sportit, kjo është forca më e madhe e futbollit. Për këtë dua të falënderoj presidentët, falënderoj ju të gjithë për disponibilitetin dhe mikpritjen dhe më lejoni të them rroftë futbolli, rroftë Shqipëria, rroftë Italia, rroftë Kosova dhe rroftë Maqedonia e Veriut!”, ishin fjalët e Gravinës para gazetarëve, duke hedhur poshtë më pas faktin se kjo vizitë kishte qenë për arsye “politike” pasi së shpejti vijnë zgjedhjet në UEFA dhe ai është kandidat për Komitetin Ekzekutiv të saj.

“Jo, sot nuk duam të merremi me politikë. Mund të flisnim edhe në telefon për këtë çështje. Prezenca ime këtu është një formë respekti për z. Duka, sepse e meriton e sepse bashkëndajmë një rrugëtim të rëndësishëm, por mbi të gjitha sepse unë besoj që Italia, Shqipëria dhe futbolli duhet të zbulojnë edhe kuptimin e të qenit së bashku.

Nuk mund të humbasim ato që janë momentet e ekzaltimit të sportit tonë, duke jetuar vetëm kompeticionet sportive. Kemi nevojë të takohemi nga afër. Kemi qëndruar bashkë mbrëmë në një atmosferë të shkëlqyer, sot do të kalojmë një tjetër ditë bashku dhe më lejoni të them se kjo është forca e ndjenjës së madhe që na bashkon”, theksoi numri 1 i FIGC.

Ndërkohë, Gravina pranoi se mund të bëhej më shumë për futbollistët e rinj shqiptarë që aktivizohen me skuadrat italiane, pasi aktualisht shumë prej tyre vuanin probleme me dokumentacionin.

“Është një problem i vërtetë, për fat të keq burokracia është një nga elementët që bllokon mundësitë për të luajtur për shumë të rinj. Komuniteti më i rëndësishëm në Itali që praktikojnë sportin, është ai shqiptar. Janë rreth 14 mijë futbollistët shqiptarë që luajnë për klube italiane dhe duhet të përshpejtuar ky proces. Unë uroj që me qeverinë italiane të mund të gjenden modalitetet e duhura për të përshpejtuar hapat”, deklaroi ai. /vipsport/