MeEdhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht për sfidën me Vllazninë, Tirana mund të marrë një shpërblim që mund të shkojë nga 1 deri në 2 mijë euro për kokë. Të paktën kështu flitet në klubin bardheblu, pas fitores me Vllazninë. Skuadra do të shpërblehet, ndërsa presidenti Refik Halili ka qenë zemërgjerë edhe në sfidën me Teutën.

Më shumë se një mijë euro për kokë mësohet se kanë marrë lojtarët titullarë. 200 mijë euro është shuma që Tirana ka vendosur si premio nëse bardheblutë ia dalin që të shpallen kampionë të Shqipërisë në fund të kampionatit.

Në fakt, premioja gjithmonë është dhënë nga presidenti i Tiranës, i cili edhe sezonin e shkuar shpërndau më shumë se 250 mln lekë për lojtarët sa herë që fitonin.

KALENDARI – Në 6 javët në vazhdim Tirana pret vetëm Kastriotin, Laçin dhe kampionatin e mbaron me Skënderbeun në shtëpi. Tri ndeshje të tjera i ka jashtë. Gjithsesi, ky nuk është ndonjë problem i madh, sepse vetëm në disa javë bardheblutë, brenda apo jashtë kanë rikuperuar dhjetë pikë nga vendi i parë, duke njohur shumë pak humbje, në derbi, me Teutën dhe Kukësin. Gjatë erës “Shehi” skuadra ka stabilitet.

Nëse Tirana ia del në dy sfidat e radhës të marrë pikë të plota, është e sigurt që bardheblutë projektohen për lart në renditje. Edhe këtë sezon filozofia në skuadër është vetëm takimi i radhës. Sezonin e shkuar bardheblutë grumbulluan 40 pikë në 14 takime, me 13 fitore e një barazim, si rrallëherë ndonjë skuadër në Shqipëri këto vitet e fundit.