Tirana mundi Laçin dhe pretendon që për herë të parë këtë sezon të fitojë ndaj Vllaznisë, por, para këtyre dy ndeshjeve të rëndësishme, ka hyrë në lojë presidenti Refik Halili.

Me një mbledhje të gjatë para kurbinasve, “bosi” i bardhebluve ka shkundur grupin. Për gati 2 orë, Halili ka analizuar paraqitjen e ekipit të tij dhe çfarë do të bëhet në të ardhmen. Jo vetëm kaq, por presidenti u ka bërë të qartë lojtarëve se dy ndeshjet, të cilat janë jetike për bardheblutë, mbeten Laçi dhe Vllaznia. Një gabim në këto dy takime do të ishte fatale dhe ai ka kërkuar përqendrim maksimal dhe një sforco të fundit për të shpëtuar Tiranën, jo vetëm nga fundi i tabelës së klasifikimit, por, nëse është e mundur, edhe ndonjë gjë më shumë, ndonëse vendi i katërt është shumë larg, 11 pikë.

REAGIMI – Bardheblutë, nga ana tjetër, kanë reaguar pozitivisht pas kësaj mbledhjeve. Ndaj Laçit, ekipi tregoi forcën e vërtetë në fushën e lojës, duke mundur 4-1 kurbinasit. Një rezultat, që skuadra ndaj kurbinasve, kishte vite që nuk e merrte. Jo vetëm kaq, por ekipi arriti edhe fitoren e pestë në kampionat dhe është gjashtë pikë nga vendi i pestë, i cili mbahet nga Elbasani, skuadër me të cilën, Tirana do të përballet para derbit me Partizanin.

KALENDARI – Edhe pse presidenti Refik Halili si fillim ka vënë si objektiv fitoret në dy ndeshjet, Laçin dhe Vllazninë, një prej të cilave u arrit, kalendari i bardhebluve është delikat. Para pushimit të ekipit kombëtar, kryeqytetasit do të luajnë me Egnatian kryesuese dhe prandaj duhet që Vllaznia të mos diskutohet. Pas pushimit të Kombëtares, skuadra pret Bylisin, udhëton në Elbasan, dy takime që mund të kalohen pa asnjë problem. Më pas, derbi, Skënderbeu, Teuta dhe e mbyll me Dinamon në transfertë.