Tirana dhe Partizani kanë barazuar në derbin e sotëm, sfidë e vlefshme për javën e 15-të të Superiores. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, përfundoi në barazim pa gola 0-0. Pas kësaj sfide ka folur presidenti i Tiranës, Refik Halili. Ky i fundit shprehet shumë i ashpër me arbitrimin, të cilët i akuzon se marrin “porosira” për të dëmtuar klubin e tij.
Penalltinë e dhënë në fund të ndeshjes në favor të Tiranës, Halili deklaroi se ishte shumë e dukshme për t’u manipuluar nga arbitrat.
“Fakti është që më bën përshtypje, si ka mundësi që neve na ndjekin njerëz të cilët ato ishin në VAR në Elbasan, përsëri ishin sot në VAR. Te penalltia nuk kishin si të bënin. Unë kam sot skemën fantastike që bëjnë ato, kanë lëvizur vijën. Aty është 1 metër e 60-të, aty është gati 1 metër. Ky është një turp që duhet të ndërhyjë federata.
Është një turp dhe një masakër që duan t’ja bëjnë me dashje klubit tonë. Unë nuk do t’i lejoj personalisht, me gjithë stafin tim, me gjithë njerëzit, me gjithë tifozat do na kenë te dera e shtëpisë gjithësecili për këtë gjë. Dhe kjo është në dorën e drejtuesve të Federatës, të marrë dhe të vendosë njerëzit e duhur. Këtu duhen njerëz të duhur, që të mos lëvizin me investimet e secilit klub sepse nuk është mirë.
Sot po e them keq fare, njerëzit po vriten për 5 mijë lekë, tek ne njerëzit e Federatës luajnë me miliona euro që ne humbim në vit, ato tallen me gjakun tonë. Ka sosur durimi, duhet të kenë kujdes. Kemi arbitrat më të mirë që janë në Ballkan. Unë them që arbitrat dinë të arbitrojnë, por njerëz të tjerë nuk i lenë që të arbitrojnë”, është shprehur presidenti i Tiranës, Refik Halili.
Akuzat e Halilit vijnë edhe pas polemikave pas ndeshjes ndaj Elbasanit 1 javë më parë. Në minutën e ’49 të atij takimi, Lleshi u pengua në zonën e Tiranës, teksa gjyqtari fillimisht nuk akordoi asgjë, por bardheblutë me anë të një kundërsulmi arritën të gjenin rrugën e rrjetës me anë të Gjumsit.
Më pas, gjyqtari kryesor Olsian Ferataj u thirr për ta rishikuar rastin në dhomën e VAR duke vendosur më pas anulimin e golit të Tiranës dhe dhënien e një 11-metërshi në favor të Elbasanit një episod i përfolur shumë pas përfundimit 1-1 të takimit.