Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, në një intervistë të gjatë për “Corriere dello Sport”, ka folur mbi gjendjen e futbollit italian dhe tema të ndryshme që lidhen me të.
Njerëzit mendojnë se futbolli jeton në një botë jashtë realitetit, me humbje të mëdha e shpenzime faraonike…
Vlera e prodhimit të futbollit është rritur 24% krahasuar me sezonin e kaluar, duke arritur në 4.3 miliardë. Megjithatë, sektori ka shënuar humbje prej 5 miliardë eurosh në 5 sezonet e fundit. Është urgjente të gjendet një balancë mes kostove dhe të ardhurave, përndryshe nuk do të kemi të ardhme. Sidoqoftë, ka edhe aspekte pozitive”.
Cili aspekt, për shembull?
Falë futbollit janë krijuar 11.3 miliardë PBB, duke gjeneruar 3.3 miliardë të ardhura nga taksat. Kësaj i shtohen edhe projektet sociale që kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në komunitet.
Serie A me 18 skuadra dhe “play-off”, reforma e rënies në B dhe C. Formatet e kampionateve duket se janë zhdukur nga axhenda e punës suaj…
Kisha përgatitur një dosje shumë të detajuar, por diskutimi ngeci, sepse disa liga nuk donin të hiqnin dorë nga e ashtuquajtura e drejta e marrëveshjes. Për momentin gjithçka është në ngërç në këtë drejtim.
Po hyjmë në futbollin me rreth 80 ndeshje në vit, me kalendarë të pakontrollueshëm. A kishte vërtet nevojë për Kupën e Botës për Klube në korrik?
Në ekonomi ne flasim për ligjin e zvogëlimit të dobisë marxhinale. Nëse hedh shumë produkt në treg, humbet interesi. Pra, futbolli është fryrë dhe burimet e të drejtave televizive lëvizin drejt garave ndërkombëtare në dëm të atyre kombëtare. Shpresoj se Kupa e Botës për Klube të sjellë përfitime për sistemin, por sigurisht që ka shumë ndeshje.
Kompeticione të mëdhenj në vend të atyre kombëtare, a nuk është kjo logjika që frymëzoi Superligën?
Ne po flasim për një turne që nuk kishte asgjë super në të, që sfidoi kohën dhe metodat, duke imponuar një model pa dialog. Superliga nuk do të më përfaqësojë kurrë mua.
Kapitulli i stadiumeve… A rrezikon vërtet Italia ta humbasë mikpritjen e Kampionatit Europian 2032?
Rregullat e UEFA-s janë të qarta. Deri në tetor 2026 duhet të tregojmë pesë stadiume me projekte të financuara dhe ndërtimore për modernizim apo ndërtim të ri brenda gjysmës së parë të vitit pasardhës. Abodi tha se ishte optimist dhe pas punës së jashtëzakonshme për caktimin e eventit në Itali, as që dua të mendoj se nuk do të jemi gati për këto afate.