Vllaznia është zhytur në një mini-krizë rezultatesh, me vetëm një pikë të fituar e dy gola të shënuar në tri ndeshjet e fundit në Abissnet Superiore. Në prag të përballjes me rivalët historikë Partizani e Tirana, shqetësuese bëhet mungesa e kapitenit dhe liderit Bekim Balaj.
Kur Vllaznia mundi Partizanin 1-0 në Arenën e Demave, në javën e parë të Abissnet Superiore, dhe më pas barazoi 2-2 me Tiranën në Loro Boriçi, trajneri Tomas Brdariç shprehu pakënaqësi për lojën e skuadrës së tij, por të paktën pikët e fituara përballë dy skuadrave pretendente në start ishin ngushëlluese.
Nuk mund të flitej për krizë paraqitjeje, megjithatë ishte diçka që duhej ndrequr e që kuqeblutë ia arritën me suksese, deri sa morën edhe kryesimin e kampionatit, falë fitoreve dhe ndeshjeve mjaft të mira kundër Egnatias dhe Teutës. Por, tri javët e fundit të fazës së parë kanë rikthyer shqetësimin, për atë që tani duket si një krizë rezultatesh.
Fitorja e fundit e shkodranëve ishte kundër Bylisit, skuadra tani e fundit në renditje, ndërsa në tri ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një pikë, në barazimin me Elbasanin, midis humbjeve të pësuara nga Dinamo e Laçi. E nëse humbja me blutë nuk ishte zhgënjyese si nivele paraqitjeje, ajo me Laçin ishte një këmbanë alarmi edhe për sa i përket lojës.
Vllaznia është skuadra që ka shënuar më tepër gola, 12, por në tri javët e fundit vetëm dy, edhe ata jo vendimtarë, pasi nuk kanë sjellë asnjë pikë. E si për ta shtuar dozën e shqetësimit, kuqebluve iu mungon kapiteni Bekim Balaj.
Autori i pesë golave ka një dëmtim muskulor dhe është në dyshim të fortë për ndeshjen me Partizanin, çka do të thotë që mund ta humbasë atë, por edhe ndeshjen pasardhëse kundër Tiranës, nëse gjendja rëndohet.
Humbja do të ishte e pallogaritshme, pasi Balaj, përveçse shënuesi më i mirë, është edhe lideri që ka marrë për dore të rinjtë kuqeblu, një funksion që deri tani askush tjetër nuk ka arritur ta kryejë.