Armand Duka ka folur në tavolinën e përbashkët të organizuar nga Ministria e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, e iniciuar nga ministrja Besa Shahini. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit “trumbetoi” me të madhe se duhet marrë parasysh projektligji i sugjeruar nga FSHF-ja për sponsorizimet në sport.
Siç raporton newsport.com, sipas kreut të FSHF-së, vetëm nëse do të arrihet kjo, atëherë do të ketë zhvillim sporti në vend. Në fund, ai nuk la pa “thumbuar” ministren duke i thënë që të sjellë në Shqipëri ligjin e sportit ashtu siç është në Kosovë, duke qenë se ajo është shqiptare e Kosovës.
“Nëse nuk bëhen, nëse nuk ka ndryshime për sponsorizimin, iniciativave atëherë s’do të ketë asnjë ndryshim. Sot në Tiranë luajnë futboll 8 mijë fëmijë. Nëse i pjesëtojmë me 50 fëmijë, i bie që të bëhen 400 fusha. Janë shumë të rëndësishme ndryshimet në Kodin Penal për dhunën në stadiume, por duhen edhe në infrastrukturë. Futbolli është industri e rëndësishme. Qeveria të investojë për të fituar nga futbolli.
Nëse do të investojmë, do t’i marrim ato para. Sot, nuk jemi në klube apo skuadra të mirëorganizuara me bazë ligjore të fortë, ndaj duhen bërë disa ndryshime. Duke pasur ministren, i kërkojmë më shumë vëmendje dhe këtë ta kërkojë në qeveri.
Një nga gjërat kryesore që do ta ndihmonte zhvillimin është ligji për sponsorizimin. Nuk shoh asnjë lloj mundësie që propozimi i bërë të vihet në punë. Meqenëse je nga Kosova, të kërkoj vetëm të na sjellësh ligjin e sporteve siç është në Kosovë. Vetëm kaq”, u shpreh presidenti Armand Duka.