Sot, në kryeqytet po zhvillohet Asambleja e 21-të e Komitetit Olimpik Shqiptar. Diskutime, analiza por edhe debate të shumta kanë përfshirë këtë asamble me në krye Viron Bezhanin. Presidentët e të gjithë federatave ishin të pranishëm, ndërkohë replikat me tone të larta “zaptuan” sallën.
Arbis Vjerdha kritikoi ashpër këtë asamble që po mbahet në kryeqytet, ndërkohë që i kujtoi Viron Bezhanit se është shumë larg Armand Dukës. Presidenti i Federatës së Kick-Boksit i nxorri të “palarat” duke thënë se askush s’kishte dashur që të ishte i pranishëm në sallë. Madje shkoi deri aty sa i kujtoi 50-mijë lekeshin e kërkuar për të qenë pjesë e Asamblesë, raporton Newsport.al.
“Tani nuk e patët me shumë qejf që unë të jem në mbledhje. Dolën në fillim dhe na shpalosën programin, punën tonë. Me pak fjalë po na servirnin gomarin e Sanço Panços për kalin e Zorros. Kur doli “horlleku” që ishte gomar, u desh përsëri me u marrë me Federatën e Futbollit, për t’i thënë: Po gomar është, po e ka qimen e bukur. Tani ai zotëria atje thotë që Stavri është miku i Vironit.
Vironi thotë që më ka thënë: Ma voto Stavrin për sekretar se kam gjetur gjuhën e bashkëpunimit në këtë votimin e fundit. Stavri është një super avokat që s’ka nevojë për t’ia prezantuar askujt veten. E ruan veten shumë mirë dhe nuk ia kam dëgjuar zërin akoma. Kështu që s’ka nevojë për avokat. Ne nuk kemi asnjë lloj informacioni. Vijnë këtu për të bërë të njëjtën gjë siç bëhen me votimet politike. Vijmë këtu pa asnjë lloj informacioni dhe flitet këtu për punën e Komitetit Olimpik, por për auditin asnjë gjë.
Çfarë janë këto asamble fantazma që na sillni ne si dele? Ato letra o sillini tamam ose çojini në Prokurori. Pse me ju do merremi? Unë kam statusin dhe kurajon për të folur. Dhe e di pse? Sepse për 15 vite nuk më ka pritur askush në Komitetin Olimpik. Konsiderohem federatë e vogël, ndërkohë që për 10 vite kam sjellë 22 medalje europiane. E kam krijuar vetë këtë sport në Shqipëri.
S’më ka falënderuar askush. Jepen rroga aty, dekorata ndërkohë Stavri më thotë mua që s’mund të bëhesh pjesë e Asamblesë sepse nuk ke paguar atë 50 mijë-lekshin e qelbur. Ndërkohë unë kam shpenzuar 100 mijë euro për sportin e Kick-Boksit në Shqipëri. Tani që jam njohur nga ministria, nga Komiteti Olimpik, nga dy federata botërore, tani kam tagrin të flas. Jo që nuk do paguaj 50 mijë lekë të vjetra, por s’do paguaj as 5 lekë ore. Do të marr pjesë në Asamble. Askush s’na ka ndihmuar, edhe pse kemi bërë kërkesë.
Vijmë këtu për të folur për Armandon. Ej, a e dini sa larg jeni ju me Armandon ose më mirë me Federatën e Futbollit? Dihet shumë mirë ku ishte futbolli dhe ku doli tani. Ai personi aty, në thonjza paska punuar keq. Mos u bëni shumë qesharakë. Mua më vjen keq. Unë jam më i vogli ndër ju. Por, shumë prej jush i kam pasur pedagogë.
Gjithsesi jemi kolegë. Tani çfarë do votojmë, do të votojmë këto gjëra qesharake apo do punojmë 10 minuta pushim për t’i dhënë tamam drejtim? Anulojeni këtë mbledhje dhe radhën tjetër mos të diskutojmë më për gomarin, por të flasim tamam për kalorësin”, përfundoi ai.