Me sa duket nuk ndodh vetëm në Shqipëri, edhe klubi i Napolit, një ndër më të mëdhenjtë dhe me financat më të forta në Itali, ka vendosur t’u vonojë rrogat lojtarëve pasi presidenti nuk i pëlqen sjellja e tyre. Përplasjet mes futbollistëve dhe numrit 1 të klubit, Aurelio De Laurentis, janë të dukshme pas revoltës së lojtarëve që refuzuan të shkonin në grumbullim.
Por pakkush e priste që situata të shkonte deri në atë pikë sa presidenti të vendoste “ngrirjen” e pagave të tetorit, ndërsa pret vendimin e gjykatës administrative pasi ka hedhur në gjyq futbollistët e vet.
Sipas mediave italiane, presidenti ka vendosur që të bllokojë pagesat e tetorit të futbollistëve, derisa të dalë vendimi nga gjykata, pasi ai kërkon dëmshpërblim për atë ngjarje të dy javëve më parë.
Lojtarët e prisnin një reagim të tillë dhe asnjë prej tyre nuk ka diskutuar publikisht vendimin e De Laurentis për të mos i paguar, por po bëhen gati të kundërpërgjigjen në rrugë ligjore.
Presidenti nga ana tjetër, gjatë javës do të caktojë edhe gjobat ndaj futbollistëve, për t’i ndëshkuar për sjelljen e tyre ata që kundërshtuan grumbullimin e për më tepër nuk kursyen edhe revoltën publike ndaj të birit, i cili po mundohej t’i bindte të zbatonin urdhrin e presidentit. /vipsport/