Në një intervistë për gazetën prestig joze në Gjermani “Kicker”, Presidenti i Nderit tek ekipi i Bajern Mynih, Uli Hënes, bëri të qartë se për të kampionati gjerman është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër këtë sezon. Pavarësisht mundësisë për të fituar Champions-in në stadiumin e tyre, fokusi i tij është te Bundesliga.
“Besoj dhe shpresoj se do ta rifitojmë kampionatin gjerman. Do të ishte një dhuratë e mrekullueshme për ditëlindjen e 125-të. Pas sezonit të vështirë 2023-24, flitet shumë për Ligën e Kampioneve. Kampionati do të thoshte shumë për mua”, theksoi Presidenti i Nderit në Mynih.
Për Hënes, titulli kombëtar është qëllimi më i madh se suksesi evropian, edhe nëse ka shanse për të fituar trofeun në “Allianz Arena”. 73-vjeçari është optimist se bavarezët mund ta rifitojnë kampionatin. Me një avantazh prej tetë pikësh ndaj Bajer Leverkusenit të vendit të dytë, skuadra e Mynihut aktualisht është në vendin e parë dhe duket në rrugën e duhur. Megjithatë, kjo është në kontrast me deklaratat publike të bëra nga shefi i Bajern, Jan-Kristian Dresen, i cili kishte formuluar synimin për të arritur në finalen në “shtëpi” dhe për të fituar titullin e Ligës së Kampioneve.
“Gjithmonë flitet shumë për Champions-in, por Bundesliga është më e rëndësishme për mua”, tha Uli, duke shtuar se ai do të preferonte ta shihte skuadrën të fitonte kampionatin sesa të arrinte sukses evropian.
Me këtë qëndrim, ai ndoshta dëshiron të heqë presionin nga ekipi dhe të fokusohet në performancën e qëndrueshme në ligë. Në fushën ekonomike, Hënes përsëriti se Bajerni duhet të vazhdojë të mbështetet në themele të forta financiare në mënyrë që të mbetet i pavarur në afat të gjatë.
Ai do të donte të shmangte “vizitat e rregullta në departamentin e kredive të një banke” dhe në lidhje me shitjet e mundshme të aksioneve, ai gjithashtu e bëri të qartë: “Shitja e aksioneve të tjera duhet të jetë vetëm një situatë emergjente”. Klubi më i titullar në Gjermani është në garë për të fituar Bundesligën dhe Champions-in, pasi është eliminuar më herët nga Kupa e Gjermanisë.