Ledian Memushaj është kthyer gjatë kësaj vere te Peskara dhe po tregon përsëri aftësitë e tij si një lider në mesfushë. Lojtari u shkëput vetëm një vit nga klubi ku më parë mbante shiritin e kapitenit, pasi vendosi të qëndronte te Benevento në Serinë A kur klubi i Peskarës ra në B.
Por duket se ai vendim është marrë bashkërisht me klubin, pasi Zdenek Zeman, i cili drejtonte asokohe skuadrën, nuk mendonte se Memushaj mund të jepte më kontribut për këtë ekip.
Gjithçka konfirmohet nga presidenti i Peskarës, Daniele Sebastiani, i cili për mediat italiane nuk ka ngurruar të thumbojë trajnerin çek.
“Jam i lumtur për vendin e parë në renditje. E të mendosh se një vit më parë, disa lojtarë, si Memushaj, nuk cilësoheshin nga dikush si të mirë mjaftueshëm për Serinë B”, deklaroi ai duke iu referuar Zeman.
I cili pas rënies nga Seria A, kishte bërë një listë të gjatë lojtarësh për të larguar nga skuadra, duke vënë të parin në pikërisht kapitenin Memushaj. /vipsport/