Arqile Gorea, presidenti Teutës së basketbollit të meshkujve, në një intervistë për “Panorama Sport” ka zbuluar shkakun e vendimit të Teutës për të mos marrë pjesë në Ballkanligë.

Kreu i bregdetarëve gjithashtu ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në sportin e koshit, duke filluar nga problemet financiare të mbartura nga sezoni i ndërprerë, Teutën e re, për të vijuar më pas me kërkesën ndaj federatës për rimbursim. Ndërkohë, nuk mund të mungonte as komenti për Ligën Unike.

KOSTOT – Presidenti i Teutës e nis prononcimin e tij, duke theksuar edhe një herë tjetër goditjen financiare që kanë marrë klubet për shkak të kohëzgjatjes së verdiktit për sezonin 2019-2020 dhe vështirësitë me të cilat po përballen në këtë periudhë: “Për shkak të mungesës së vendimmarrjes nga federata, unë i kam paguar 5 muaj rroga skuadrës, ndonëse kampionati nuk rifilloi. Gjithashtu të gjitha ekipet paguan paratë e federimeve dhe të regjistrimeve.

Sidomos kostoja e lojtarëve të huaj që është një vare në kokën e ekipeve shqiptare. Aktualisht ndodhemi përpara një situate totalisht të pasigurt, sepse ka aq shumë lajme kontradiktore për fillimin e aktiviteteve. Vazhdoj ta theksoj që kemi një menaxhim shumë të keq të federatës”.

KËRKESA NDAJ FSHB – Gorea konfirmon kërkesën e klubeve ndaj FSHB, të cilat duan rimbursim financiar për edicionin e anuluar: “Ekipet kanë dërguar një letër në federatë, ku kërkojmë që FSHB të ketë në konsideratë të gjitha këto kosto në fillimin e kampionatit të ri, duke qenë se bëhet fjalë për një kampionat të pakonsumuar.

Pra, nga mosezaurimi i aktiviteteve, ekipeve duhet t’u kthehen paratë, ose të llogariten në kostot e sezonit të ri, sepse lind automatikisht pyetja, ku shkojnë këto para? Ky është një problem i madh që kërkon zgjidhje. Moszgjidhja e këtij problemi do të vendosë përpara shumë pikëpyetjeve, ku do të rikonfirmohen edhe një herë fjalët që qarkullojnë për shpërdorimin e financave të basketbollit”.

TEUTA E RE – Përtej problematikave të shumta, ishkryebashkiaku durrsak bën të ditur se Teuta do vazhdojë të mbetet një skuadër pretendente, ndonëse nga ekipi janë larguar lojtarë si Hysenagolli dhe Hamati: “Të gjitha këto janë vështirësi që ne na stepin, megjithatë jeta vazhdon dhe ne jemi të angazhuar për vazhdimin e luftës sportive në kampionat.

Do të përpiqemi që të bëjmë atë që është më e mira për ekipin tonë. Vllaznia dhe Goga Basket kanë marrë edhe dy lojtarët tanë si Hamati dhe Hysenagolli. U uroj sezon të mbarë të dy lojtarëve në skuadrat që kanë shkuar. Ndërsa bëj me dije se Teuta ka rikonfirmuar në drejtim të skuadrës trajnerin Milatoviç, i cili së bashku me kapitenin po merren me riformatimin e ekipit të ri. Do ketë prurje shumë të mira dhe do të kemi sërish një Teutë pretendente”.

BALLKANLIGA – Teuta dy vite më parë realizoi një paraqitje të shkëlqyer në Ballkanligë, duke u bërë ekipi i parë shqiptar që arrin të shkojë deri në finale. Por bregdetarët sezonin e kaluar hoqën dorë nga pjesëmarrja në këtë aktivitet, për shkak të disa problemeve që patën me organizatorët e Ballkanligës.

Ja si qëndron e vërteta sipas presidentit të Teutës: “Ishte një eksperiencë mjaft e bukur sportive dhe historike për basketbollin shqiptar. U shpallëm nënkampionë, ndërsa dy lojtarë tanë u futën në formacionin më të mirë të eventit. Por për sa u përket marrëdhënieve me organizatorët, lënë shumë për të dëshiruar. Ata na grabitën në mënyrë arbitrare fondin e garancisë.