Presidenti i Tottenham-it, Daniel Levy, gjatë një takimi me tifozët, ka folur për momentin e mirë të Spurs, aktualisht në vendin e dytë në Premier League, vetëm 2 pikë larg City-t.

Në qendër të vëmendjes është vendimi për t’ia besuar ekipin Ange Postecoglou që, pas eksperiencave të Mourinho-s dhe Conte-s, duket se po jep fryte:

“Zhgënjimi për mungesën e fitoreve dhe presioni nga ana e disa lojtarëve dhe shumë tifozëve që të fitonim, të shpenzonim para, të kishim një trajner të madh, një emër të madh, më kanë kushtëzuar dhe kështu kam vendosur të ndryshoj strategji”, ka thënë Levy.

Strategjia, ka vazhduar Levy, “ishte ajo që të merrnim një trajner të mësuar me fitoret dhe me trofe dhe e kemi bërë dy herë”.

Tottenham, në fakt, i ka besuar Jose Mourinho-s në fillim dhe më pas Antonio Conte-s, por për Levy-n Special One dhe ish-trajneri i Italisë “janë trajnerë të mëdhenj, por ndoshta jo të përshtatshëm për këtë klub.

“Ne duam të luajmë në një mënyrë të caktuar dhe nëse kjo do të thotë se duhet pak më shumë kohë për të fituar, ndoshta është gjëja e duhur për t’u bërë.

“Duhet të mësojmë nga gabimet dhe mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur, jemi kthyer në origjinën tonë”, ka përfunduar numri një i Tottenham-it.