Vllaznia mori dje një fitore me rezultatin e thellë 6-3 ndaj Dinamos. Sfida e luajtur në “Loro Boriçi” prodhoi spektakël dhe plot 9 gola, por në fund ishin vendasit që dolën me 3 pikë nga kjo ndeshje. Në prononcimin e dhënë për mediat pas ndeshjes, presidenti i Vllaznisë u shpreh i kënaqur për fitoren, por kishte rezervat e tij për gjykimin.

Arbitri Kridens Meta akordoi penallti pas thirrjes që mori nga VAR dhe një gjë e tillë nuk la një shije të mirë te drejtuesit shkodranë. Xhaferi u shpreh se do ta ndjekë këtë procedurë me FSHF-në, ndërsa theksoi se skuadra e tij është për titull kampion.

“Kjo është gjëja më e bukur se pamë një futboll të bukur dhe një skuadër që ndërvepron e gjitha bashkë. Kjo ishte gjëja më e mirë dhe të gjithë bashkë ia arritëm një qëllimi, ishte një spektakël i jashtëzakonshëm në Shkodër. Për këtë jemi të lumtur të gjithë se ishte një futboll i bukur, çunat bënë më të mirën dhe sot ishim me të vërtetë fantastikë dhe dua t’i përgëzoj”.

Vllaznia për titull? “Sigurisht kemi hyrë për këtë objektiv dhe kjo ndeshje absolutisht është diçka e bukur. Por kampionati është i gjatë sepse bëhet fjalë për skuadra të forta dhe është një kompeticion shumë i fortë.

Kam rezervat e mia për gjykimin por besoj se do të jetë një procedurë që do e ndjekim me federatën. Kam rezervat e mia, skuadra e meritoi dhe fitoi kundër të gjithëve. Dua të them se Vllaznia do të luajë lojëra të bukura dhe do të luajë për të arritur objektivat që kemi caktuar”- ka thene ai./SHKODRA-SPORT.COM/