Neser do te luhet ndeshja Korabi- Flamurtari e cila konsiderohet shume e rendesishme per fatet e te dy skuadrave. Por ndonese kjo ndeshje konsiderohet e rendesishme, ajo nuk do te transmetohet nga RTSH dhe kjo ka sjelle edhe nje reagim te ashper te presidentit te klubit vlonjat Sinan Idrizi i cili mendon se me teper po luhet “futboll tavolinash”. Ja si eshte shprehur ai per median e shkruar:
““Është ndeshja e dytë që RTSH nuk transmeton Flamurtarin dhe ata thonë, se i marrim urdhrat nga FSHF. Cili është qëllimi që nuk transmetohen ndeshjet e Flamurtarit? Një fushë që është luajtur futboll i bukur. Korabi ka një super-ekip dhe RTSH nuk e transmeton kryendeshjen. Unë nuk e kuptoj, është më e rëndësishme ndeshja Korabi-Flamurtari apo Lushnja-Erzeni?
Dy ndeshjet e Flamurtarit nuk transmetohen. Ne kemi shikueshmëri të madhe, jemi qyteti më i madh, kemi tifozerinë më të madhe si numër dhe ndeshja nuk transmetohet. TVSH vjen dhe transmeton ndonjë ndeshje në Vlorë sa për llogje dhe kaq. Është e shëmtuar. Një qyteti kaq të madh FSHF dhe TVSH nuk i transmetojnë ndeshjen. Kjo është një fjalë e ndërtuar me presje të gjata.
Luajmë në Dibër me Korabin. As vjet nuk e transmetuan. E transmetoi një transmetues lokal i tyre. Nuk shkojnë, u duket larg, lodhen. Po çfarë të drejte ka marrë RTSH-ja, se unë nuk e kuptoj? Për të transmetuar Flamurtarin kur luan në Vlorë, që vijnë të hanë ndonjë pjatë me karkaleca dhe fruta deti këtu. Takimet e Flamurtarit, tifozët tanë nuk i shikojnë dot. Nëse nuk i shikojnë dot, atëherë të na japin ne të drejtën e transmetimin si klub se unë vë kamerat e mia dhe e transmetoj vetë.
Nëse unë e bëj, kjo quhet pirateri. Tani unë nuk e di, tifozët me të drejtë thonë na jepni një ‘link’ që të shikojmë ndeshjet tona. Këtu ka një gjë që nuk shkon dhe unë nuk i kuptoj këto lojërat e bizantizmit. Është e shumë e shëmtuar. Korabi është një ekip që ka qenë pretendent, ka luajtur “play off”-e, na ka eliminuar edhe ne, ka qenë gati edhe për t’u ngjitur në Superiore. Nuk i kuptoj këta që marrin këto vendime. Këta mendojnë, se ndeshja Lushnja-Erzeni është më e rëndësishme se Korabi-Flamurtari?.
Unë i druhem gjithmonë futbollit që luhet në tavolina, jo futbollit në fushë. Në futbollin që luhet në fushë le të humbasim, nuk ka problem fare. Na mundi Burreli, është një problem i yni, i të gjithëve bashkë. Në këtë kategori luhet shumë futboll në tavolina. Dihen skemat, dihen kë ka, ku e ka, më jep atë, të japë këtë. Ne asnjë herë nuk kemi qenë pjesë e këtyre skenave. Jemi jashtë tyre, nuk ka shanse. Po filloi kjo histori tani, që këto ndeshje nuk transmetohen… Ne sot i kërkuam që gjyqtarët të jenë të FIFA-s dhe jo amatorë. Ju e dini që kjo mbledhja e pikëve është si puna e ortekut, fillon nga pak deri sa arrihet në fund.
Për ndeshjen që nuk transmetohet në RTSH, unë nuk bëj aludime, por i druhem faktit. Fakti është, si shpjegohet se kryendeshja e kësaj jave nuk transmetohet? Nëse RTSH-ja nuk ka mjete logjistike, atëherë pse ka hyrë në garë për të transmetuar. Këto janë të gjitha supozime… Nëse ata mendojnë se ndeshja e Lushnjës me Erzeni është më e fortë nga e jona dhe ka më shumë ndjekës, sërish ky është një problem që duhet sqaruar. Të lësh pa transmetuar dy ndeshje të një qyteti si Vlora, më fal, por nuk e kuptoj dot”