Sinan Idrizi ndien keqardhje që Sokol Kushta hesht për padrejtësitë që i bëhen Flamurtarit. Administratori i klubit uron që heshtja e legjendës vlonjate të mos lidhet me interesa meskine. Idrizi mendon se bashkëpunimi që Kushta ka me FSHF-në për ndërtimin në Vlorë të një qendre sportive, ia ka mbyllur gojën.

Për “Panorama Sport”, Idrizi thekson se nëse ai nuk do të financonte sot te Flamurtari, Bashkia e Vlorës nuk do të kishte kryer asnjë investim këtë vit, pasi buxheti që derdh në klub, është sa zëri i investimeve të bashkisë. “Gjëja që realisht më plogështon dhe më mërzit është mosreagimi qytetar i anëtarëve të Këshillit Bashkiak, sidomos i atyre që vijnë nga sporti. Ata reagojnë vetëm në fund të qershorit kur është koha që bëjnë kërkesën e radhës për ta shtyrë edhe një vit kontratën, për të ndihmuar bashkinë nga rëndesa e taksave. Nëse këtë vit ata nuk do të kishin ndihmën time për Flamurtarin, të jeni të sigurt se Bashkia e Vlorës do ta kishte zero mundësinë e investimit në qytet.

Sot çuditërisht nuk ndihen. Unë jam fans i madh i Sokol Kushtës, por ai nuk flet. Nuk flet pas ndeshjes me Elbasanin, nuk flet për organizimin e garës. Thotë pse duhet të flas unë. Ti duhet të flasësh sepse ti je etaloni i Vlorës. Je ai që na ke nderuar. Fanella jote është me peshë të jashtëzakonshme. Unë jam thjesht një financues i klubit. Kurse ti je një emër i qytetit.

Emri yt është më i madh nga të gjithë emrat tanë. Nuk duhet të heshtësh, larg qoftë të themi për arsye meskine. Mund të bëjë një marrëveshje shumë të mirë me FSHF-në, mund të bëjë investime. Është problemi i tij çfarë bën me FSHF-në. Madje do të jetë një gjë shumë e bukur. Unë jam nga të parët që them, që nëse më krijohet mundësia edhe mua, mund të hyjë në rolin e investitorit pa kërkuar aksione te projekti ‘Kushta Center Sport’, nuk e di është një diçka e tillë.

Kjo është një marrëdhënie shumë e mirë që Koli mund të ndërtojë me federatën. Por kjo nuk do të thotë që ti me emrin që ke krijuar te Flamurtari të heshtësh. Pastaj në fund, në qershor do të thuash që janë në Kategori të Dytë këta, harxhojnë lekë, por nuk dinë se si i harxhojnë. Do ndodhi siç ndodhi vjet me Dinamon, siç ndodhi edhe këtë vit. Këto janë të gjitha bashkë. Kërkoj pak më tepër përgjegjësi qytetare. Këto personazhe nuk flasin. Nuk i di arsyet, nuk i kuptoj dot. Unë shoh që janë të kufizuar emrat që dalin dhe prononcohen në gazetë. Kjo nuk është marka ime, është e të gjithë qytetit”, shprehet fillimisht Idrizi.