Rritet edhe më tepër rivaliteti në mes dy ekipeve më të mira të futbollit të femrave në Shqipëri, Adës dhe Juban Danjës. E para ka marrë në rradhët e saj një trajner kampion si Dervish Haxhiosmanoviç ndërsa e dyta do kundërpërgjigjet me blerjen e tre futbollisteve të tjera. Lajmi bëhet i ditur nga presidenti Ferdinand Jaku që për gazetën online www.shkodrasport.com do të shprehej: “Jemi në hapat e fundit të bisedimeve dhe shumë shpejt do të konkretizojmë marrjen e tre futbollisteve të tjera për ekipin tonë. Kjo bëhet për të rritur edhe më shumë nivelin e tij por edhe të mbuluar ndonjë boshllëk të shfaqur gjatë fazës së parë të kampionatit. Falë edhe donatorëve që po i qëndrojnë shumë afër ekipit dhe po sponsorizojnë jo pak për të, gjërat deri tani po shkojnë mirë. Objektivi i “Juban Danjës” për këtë sezon është rifitimi i Kupës së Shqipërisë dhe po ashtu edhe i titullit kampion. Mundësitë janë, ekipi është i mirë dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i konkretizojmë këto gjëra edhe në fushën e lojës”. Ndonëse presidenti Jaku nuk ka preferuar të japë emrat e lojtareve që do veshin fanellën e “Juban Danjës”, burime pranë kësaj skuadre bëjnë të ditur se njëra nga to është kapitenia e ekipit të Tiranës dhe anëtarja e kombëtares shqiptare Aurora Seranaj. Firma me të pritet të hidhet brenda dy ditësh dhe pas saj do ketë edhe dy firma të tjera që do ta forcojnë edhe më shumë këtë ekip.
www.shkodrasport.com