Ekipi i Vllaznisë së femrave arriti të kualifikohej për në fazën e grupeve të Champions League për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar të femrave, duke bërë në këtë mënyrë një hap shumë të madh përpara.
Vajzat kuqeblu luajtën ndeshjen e fundit në Spanjë ndaj Realit të Madridit, ku edhe pse u mundën me rezultatin e thellë 5-1, ato arritën të shënojnë një supergol falë sulmueses Megi Doçi.
Ndërkohë, në një intervistë për mediat, presidenti i klubit të futbollit të femrave të Vllaznisë, Lazër Matija u shpreh i emocionuar, por edhe i lumtur për këtë sukses, që u mbyll me një supergol nga Megi Doçi. Në analizën e tij, ai tha se ishte një pjesëmarrje pozitive, por shtoi se kanë akoma shumë për të përmirësuar.
Poashtu, presidenti Matija u shpreh diferencat e Vllaznisë me ekipet e tjera pjesëmarrëse në grup ishin të mëdha, ndërsa theksoi se pavarësisht kësaj, vajzat kuqeblu dhanë maksimumin e tyre në fushën e lojës në të gjitha ndeshjet e luajtura.
“Unë mendoj që të gjitha ndeshjet e Vllaznisë në Champions ishin të veçanta, ndeshje të rëndësishme, sepse pjesëmarrja në grupet e Champions League të krijon mundësinë të luash me këto ekipe shumë të mëdha të futbollit europian. Padyshim, ndeshja me Realin ishte interesante, sepse ishte ndeshja përmbyllëse e këtij aktiviteti të rëndësishëm.
Ishte ndeshja e fundit dhe pikërisht me Realin e Madridit, një emër i madh i futbollit europian dhe atij botëror. Unë mendoj që ekipi dha maksimumin në këtë ndeshje, pavarësisht rezultatit, sepse duhet ta theksojmë vazhdimisht se diferencat janë të mëdha ndërmjet ekipeve.
Gjithsesi, ekipi jonë në të gjitha ndeshjet ka dhënë maksimumin e vet, duke ditur që luajmë me emra të mëdhenj. Poashtu, ekipi kaloi edhe probleme të mëdha me dëmtimet. Pothuajse, 5-6 futbolliste në të gjitha ndeshjet e grupeve nuk ishin të gatshme. Ishte një minus i madh dhe një dëm i madh për ne padyshim.
Duhet pranuar që kemi pasur problematika mjaft të mëdha me dëmtimet. Gjithsesi, ndeshja me Realin ishte një ndeshje e bukur. Ishte e bukur sepse ekipi shënoi edhe golin e parë në këto ndeshje të vështira, ku shënoi edhe një gol mjaft të bukur, gol për t’u mbajtur mend gjatë.
Gjithsesi, një gol ndaj Realit të Madridit në çfarëdo lloj niveli është një gol që shijon. Eshtë një ndeshje për t’u mbajtur mend gjatë nga opinioni.
Kështu që, për ne është një përvojë e mirë, përvojë që do të na shërbejë mjaft edhe për të ardhmen”,-mbylli prononcimin e tij, presidenti i Vllaznisë në futboll për femra, Lazër Matija.
Maringlen ZHIVANI