Humbja e titullit kampion nga ekipi I Vllaznisë natyrisht që nuk është pritur mirë nga ana e sportdashësve shkodranë të cilët kishin shumë besim se edhe sivjet ky ekip do të shpallej kampionë. Ato kanë ndjekur për tre ditë me rradhë ndeshjet e këtij kampionati të transmetuara ekskluzivisht nga televizioni Rozafa dhe janë bindur për padrejtësitë që I janë bërë boksierëve të Vllaznisë në disa ndeshje, përfshi këtu edhe dy ndeshjet finale të Kristian Shytanit dhe të Nelson Hysës. Këto gabime të gjyqtarisë I ka pranuar edhe vetë presidenti I Federatës Shqiptare të Boksit Gjergj Leqejza I cili është shprehur se ato do analizohen dhe nëse konstatohen, do të ketë masa ndëshkuese.
Edhe Jetmir Kuçi, ky emër I mirënjohur I boksit shqiptar, I cili ka qenë I pranishëm në të tre ditët e kampionatit, e ka pranuar penalizimin e boksierëve shkodranë. “Gabime mund të ketë ashtu siç ka patur gjithmonë. Ne do t’i analizojmë rastet e diskutuara dhe nëse konstatohen se është e vërtetë se ka patur gabime me dashje, natyrisht që do ketë edhe masa ndëshkimore”- ka thënë presidenti Leqejza. Ndërkohë, ish- kampioni Kuçi duke folur në lidhje me pakënaqësitë e boksierëve dhe trajnerëve shkodranë për gjykimin, ka thënë: “Mendoj se ka patur ndikim të gjyqtarisë në disa prej ndeshjeve”.
Megjithatë pavarësisht këtyre padrejtësive, asgjë nuk mund të ndryshohet. Vllaznia nuk ka arritur të fitojë titullin e 20-të kampion duke e shtyrë festën e këtij titulli për vitin e ardhshëm ku natyrisht duhet një përgatitje edhe më e madhe për të sfiduar jo vetëm kundërshtarët por edhe gjyqtarinë.
Gjergj KOLA