Ka reaguar pas dy ditësh nga prononcimi i trajnerit të Vllaznisë Zef Gjoni që e kishte akuzuar rëndë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Gjergj Leqejza i ka marrë me sportivitet këto akuza. Ai ka dalë sot në një konferencë për shtyp duke folur me shumë qetësi për çështjet në fjalë. “I kam dëgjuar ato çfarë z. Gjoni ka thënë në adresën time. S’ka asnjë sens që unë paskam punuar për t’i hequr titullin kampion Vllaznisë. Zefi i ka thënë këto natyrisht i mërzitur nga humbja e titullit dhe kuptohet që një reagim i tillë është i pritshëm. Më vjen mirë që ai paska thënë se do të punoj fort tani e tutje për të qëndruar gjithë ditën në palestër për të fituar medoemos titullin vitin tjetër. Ai ka merita të jashtëzakonshme në këtë sport dhe nëse sot boksi ka një nivel, 50 % e meritave i takojnë këtij njeriu. Sa i takon kampionatit, mendoj se ka qenë kampionati më model i organizuar. Gjyqtaria këtë herë ka qenë e përbërë me djem të rinj, kryesisht ish- boksierë por edhe të shkolluar dhe përpos kësaj, votimi ka qenë elektronik. Nuk ka mundësi që të gabojnë 5 gjyqtarë njëherazi. Mua më kënaq fakti që kemi patur boksierë kampionë si rrallëherë tjetër nga gjashtë ekipe, nga Tirana, Vllaznia, Apolonia, Flamurtari, Teuta dhe ekipi privat Arena”- ka thënë presidenti Leqejza para gazetarëve. Këta të fundit e kanë pyetur edhe për akuzat e tjera të lëshuar nga Zef Gjoni se prej tre vitesh që është në krye të Federatës, nuk ka hedhur asnjë lekë për boksin. Por z. Leqejza i ka dhënë një përgjigje të shpejtë kësaj pyetje duke thënë: “Zefi më duket se nuk është arkëtari i Federatës”. Sa i takon kërkesës publike të trajnerit të Vllaznisë në adresë të presidentit të Federatës për të dhënë vetë dorëheqjen para se ta shkarkojnë në mënyrë të turpshme, numri 1 i kësaj Federate është përgjigjur: “Për t’u zgjedhur apo për të ikur nga posti i presidentit janë disa rregulla që duhen ndjekur. Nuk mendoj se vendos një klub apo një person i vetëm. Unë s’mund të jap dorëheqjen se do Zef Gjoni. Përpos kësaj, nuk është në natyrën time të dorëhiqem nga asnjë detyrë që kam marrë përsipër. E përsëris, këto janë fjalë që Zefi i ka thënë në momente nxehje e sipër. Të jemi të bindur se pas dy orësh do na shihni sërish bashkë duke diskutuar për këtë sport dhe problematikat e tij”.
Gjergj KOLA