Elbasani luan ndoshta 180 minuta ven dimtare të sezonit në “Loro Boriçi” në pak ditë. Dy sfidat me Vllazninë, fillimisht kampionat dhe më pas për Kupë mund të ndryshojnë situatën në kampin verdheblu, që nuk po kalon momentet më të mirat e mundshme.

Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, presidenti Kujtim Llupa, i përgjigjet mikut të tij te Vllaznia, Alban Xhaferit, ku beson se është Elbasani ai që do të fitojë. Llupa nuk heq dorë nga “Final 4”, sepse ekipi, sipas tij, funksionon mirë. Problemin e sheh vetëm te finalizimi, por me afrimet e janarit ka besim se do të vijë kthesa në javët e mbetura. Presidenti ka në fund edhe një thirrje për lojtarët e tij.

President, çfarë po ndodh me Elbasanin?

Unë ekipin e shoh në rritje, edhe pse kanë munguar rezultatet. Ngërçi ka qenë vetëm te goli. Në syrin tim ekipi luan dhe krijon raste, por finalizimi ka munguar dhe na ka penalizuar për të marrë pikët. Ekipi dhe stafi për mua janë në harmoni të plotë.

Si e prisni dopio- duelin me Vllazninë, fillimisht kampionat dhe më pas në Kupë?

Do të fillojmë me fitoret tona me skuadrat e kreut që këtë javë ndaj Vllaznisë. Do t’i marrim me radhë. Miku im, presidenti i Vllaznisë, deklaroi për ju që do ta mundë në të dyja ndeshjet Elbasanin. Unë po i them, që do të dal me fitore nga Shkodra, fillimisht nga kampionati dhe më pas do të shohim Kupën.