Pasditen e së martës, Vllaznia e femrave do të zhvillojë ndeshjen e tretë dhe të fundit në grup, të vlefshme për “Champions League Women”. Përballë saj do të jetë kampionia e Moldavisë SS Anenii Noi.
Kjo e fundit i ka humbur të dyja ndeshjet e para dhe ka pak shanse të marrë pikë edhe ndaj kampiones shqiptare. Drejtuesit e kësaj të fundit janë të bindur se do ia dalin të marrin edhe fitoren e dytë, pas asaj të arritur ditën e djeshme ndaj kampiones estoneze Parnu.
Presidenti Lazer Matija nga Bosnja për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Sigurisht që fitorja ndaj kampiones së Estonisë tregoi vlerat e vërteta të Vllaznisë, pikërisht ato që nuk arriti dot të shfaqte në ndeshjen e parë ndaj Sarajevos.
Ky takim për shumë arsye, nuk shkoi ashtu si duhet megjithatë, me përvojën që tashmë kemi fituar në këtë kompeticion të rëndësishëm, arritëm ta themi fjalën tonë.
Fitorja ndaj kampiones estoneze duhej të kishte qenë edhe më e thellë sepse kemi dominuar në të gjitha drejtimet. Jam i bindur se do ta mbyllim me fitore edhe ndeshjen e tretë e këtë e bazoj tek gjendja shumë e mirë e skuadrës.
Kuptohet që për t’u kualifikuar është paksa e vështirë tashmë sepse gjërat nuk janë në dorën tonë, megjithatë e rëndësishme është që Vllaznia edhe njëherë tjetër po tregon vlerat e futbollit shqiptar në këtë kompeticion të rëndësishëm”.
© shkodrasport.com