Ka meritën e jashtëzakonshme jo vetëm të sukseseve të Vllaznisë, por edhe në rritjen e cilësisë së futbollit të femrave në Shqipëri. Treguesi më i mirë është ai që në ndeshjen e fundit të kombëtares, atë në Skoci, në formacionin e kombëtares shqiptare kanë qenë plot 8 lojtare të Vllaznisë!

Lazer Matija, presidenti i ekipit shkodran ka prezantuar sot lojtaret e reja që kanë ardhur te Vllaznia dhe njëkokësisht ka folur edhe për objektivin e skuadrës në ndeshjen e javës së ardhshme ndaj kundërshtarit turk të ALG Spor Kulubu. Ja si është shprehur numri 1 i këtij ekipi në prononcimin e tij për mediat:

-z. Matija, prezantoni sot shumë blerje të reja…

Pranë ekipit janë ofruar shumë lojtare sepse vetë rëndësia e kompeticionit ku ne marrim pjesë, ta detyron një gjë të tillë. Mendoj se kemi marrë lojtare cilësore pranë ekipit tonë, lojtare me perspektivë, kryesisht të reja si dhe shumica e tyre janë shqiptare, të kampionatit tonë dhe atij kosovar.

Kjo tregon se po punojmë për një plan afatgjatë sepse mosha e re e tyre të jep mundësinë që në vitet në vijim, ata të jenë në nivelet që ne kërkojmë. Por për momentin jemi duke menduar vetëm për ndeshjen e Ligës së Kampioneve të Europës, ndaj kampiones turke, ndeshje kjo që do të luhet të martën e ardhshme në “Loro Boriçi”.

-Do luani në Shkodër, por pa tifozë. Do ndikojë kjo te Vllaznia?

Mendoj se është një minus për çdo ekip, por sidomos për ne sepse Vllaznia është e lidhur shumë me tifozët e saj. Kjo u tregua edhe vitin e kaluar kur në ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj skuadrës së Danimarkës, në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” pati një numër rekord tifozësh, madje edhe më shumë sesa në shumë ndeshje të djemve në Superligën shqiptare.

Mungesa e tyre do të ndikojë, por ne jemi të përgatitur për të luajtur pa to, ndonëse e dimë që do t’i kemi afër. Kemi bërë të pamundurën që të kishim një numër të reduktuar tifozësh pasi UEFA e lejon këtë gjë në kompeticionet e veta, por kjo nuk është lejuar nga organet përkatëse shqiptare si rrjedhojë e situatës së krijuar nga pandemia.

– Jeni i kënaqur me shortin dhe a është e vendosur Vllaznia për të tentuar kualifikimin?

Në Champions League nuk kemi privilegjin të themi se na ka rënë në short një ekip i dobët sepse nuk ka të tillë, por nga ana tjetër, nuk kemi arsye të jemi as inferior dhe poshtë atij ekip me të cilin do të ndeshemi. Në këtë kompeticion nuk ka ekipe të dobëta, janë të gjitha ekipe kampione, e aq më tepër nuk mund të jetë i tillë ekipi turk.

Vllaznia nuk ka komoditetin ta nënvlerësojë këtë kundërshtar, por as ta mbivlerësojmë. Vllaznia edhe vitet e tjera ka treguar se është i barabartë me çdo ekip kur luan në kompeticionet europiane, prandaj do synojmë fitoren dhe kualifikimin në turin e dytë. /SHKODRA-SPORT.COM/