Vendimi i UEFA-s për të mos dënuar PAOK sigurisht që nuk është pritur mirë në Shkodër. Në reagimin për “Panorama Sport”, presidenti i Vllaznisë, Lazer Matija, e ka cilësuar si absurd vendimin e UEFA-s për të mos pranuar ankimimin. “Mund të them pa frikë se është një vendim i turpshëm. Një lojtare e PAOK-ut ka luajtur në vend të një lojtareje tjetër, e cila nuk ka udhëtuar fare me skuadrën greke, sepse ka qenë e dëmtuar.
Nuk është thjesht një ngatërresë në numër apo në fanellë, por në vend të një futbollisteje ka luajtur tjetër kush dhe kjo për ne është e papranueshme. Ky është një krim në futboll, sepse nuk ka se çfarë të ndodhë më shumë. Ne nuk kemi kërkuar të fitojmë ndonjë ndeshje në tavolinë, por vetëm dënimin e PAOK-ut.UEFA ende s’ka marrë një vendim përfundimtar për greket, por vetëm nuk ka pranuar ankimimin tonë. Vendimi i UEFA-s duhej që të merrej më 15 shtator, por nuk u mor dhe u shty më 21. As më 21 shtator nuk u mor vendim dhe u shty në limitet maksimale, kur thuajse nuk kishte më kohë. Duke shtyrë këtë afat për vendimin ndaj PAOK-ut, i bie që Vllaznia të mos ketë asnjë shans.
Edhe nëse PAOK-u dënohet, atëherë do të luajë më tutje ekipi tjetër që ka ndeshjen më 4 tetor. Nëse vendimi do merrej me 15 ose 21 për greket dhe nëse do të dënoheshin, atëherë do vazhdonim ne më tutje”. Matija hedh dyshime se në këtë vendim mund të ketë ndikuar sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, greku Theodore Theodoridis.
“Kemi paraqitur të gjitha faktet dhe provat se ka luajtur një futbolliste tjetër për tjetër, por kam përshtypjen se sekretari grek i UEFA-s mund të ketë pasur ndikim në këtë vendim aspak të drejtë. Është e vërtetë që lojtarja e PAOK-ut e pafederuar nuk ka luajtur kundër nesh, por nëse greket do të ishin dënuar në kohë, atëherë do vazhdonim ne më tutje”.